- Atë ditë ishte zgjuar heret; ishte zgjuar si i
rrahur me litarë të lagur, siç thuhet kësaj ane, dhe ishte nisur drejt kroit
të lagjes, që e kishte disa minuta larg shtëpisë...
- Atje duhej të lajë sytë dhe të rrëfejë ëndrrën që
kishte parë një natë më parë...
- Sipas një bestytnie, të mbetur prej kushedi se
ç`kohësh, uji i mirrte me vete dhe i dërgonte në botën e pakthimtë ëndrrat
që nuk pëlqeheshin.
- Kësaj here, ai nuk deshte ta marrë uji ate që kish
ëndërruar, nuk deshte ta dërgojë në botën e përtejme, deshte të kundërtën...
...Ëndrra nuk ishte e trishtë, as e kobsh-me,
ishte e bekuar, prandaj deshte që edhe kjo ëndërr të rrëfehet te kroi, por
me një lutje që sa më shpejtë të jetëso-het. Për ëndrrat e papëlqyeshme
kishte lutje tjetër, të kundërt.
- Udhës për tek kroi, në rrënjët e sipërfaqëshme të
një arre të moçme, gjeti kryeplakun e lagjes, që kishte mbushur llullën me
duhan shafran të idhët, dhe tymoste, jo vetëm degët e arrës që dukeshin
sikur digjen, por të gjithë lagjen... Pa u afruar mirë e përshëndeti:
mirëmëngjes xha Q...
- I foli shumë shkurt sepse e dinte që ai nuk
parapëlqente të flasë me të rinjtë... ishte një goxha zemërak, një goxha
zamanli. Të rinjtë thoshte, gjer të martohen janë axhaminj, e pas martese,
se ç`bëhet.
Thjeshtë, ishte aq i ngurtë në bindjet e veta,
sa s`kishte bir nëne që ta ç`bindë...
...Ishte, si të thuhet, një monument i gjallë i
shekujve të shkuar.
- Ana tjetër, ose faqja e bardhë e këtij monumenti,
ishte bujaria.
Ai, kishte s`kishte për vete, u shërbente
njerëzve të lagjes me gjithçka që i kishte dhënë Zoti.
Për këtë edhe nderohej e mbahej në gojë për të
mirë nga banorët e asaj lagjeje kodrinore...
- Dikur, si nën mustaqe, u përgjigj: e mira të gjettë!
Përgjigja qe e shkurtë dhe pa i ngritur sytë të shoh se kush është...
- Si për inat, e pyeti dhe njëhere Goni si fjete
mbrëmë?
Si mbreti në ferra - foli pak ironishëm, duke ia
bërë me dije që ta lërë të qetë...
- Nuk e zgjati më tej.
U ngjit kodrës përpjetë, ku shihej tek-tuk ndonjë lule
- bajraku ngjyrapërzier: kuq, kaltër, verdhë e tjerë...
- Këto lule rriten fare natyrshëm, pa i vënë dorë
njeri, veç se këputen e shkulen dhe me rrënjë, nga gomerët që sillen poshtë
e lartë pa kapistallë tërë ditën e gjatë...
- Nuk thonë kot: gomerët, veç nga gomarllëqet
njihen...
- Uji i kroit ishte i vetmi burim i asaj lagjeje, që
shtrihej si një pikturë parajse në dy krahët e një përroi të thatë.
Përroi vinte vetëm në pranverën e hershme, kur
nuk i hynte në punë askujt.
Rrallë herë vinte në vjeshtë.
- Ndërsa verës, kur fëmijët luteshin për një pik shi,
përmes një rituali të lashtë pagan, përroi heshtte si t`ishte i shurdhët...
- Kur ndodhte që të bënte ndonjë përjashtim, pas
shirave rrebeshe, gurët që sillte nga malet, rrëzonin shpesh edhe muret e
oborreve...
- Ky ishte përroi; ai që s`e njihte gjuhën e lutjeve
të fëmijëve, të etur për një pikë shi...
- Derdhej ai shpesh si një bishë nga kodrat thikë të
pjerrëta, dhe bënte kërdi mbi gjithçka që i dilte përpara.
Ishin ngritur një varg pengesash me rrasa
gurësh, për të zbutur sadopak tërbimin e tij, megjithatë, ai hidhte rëketë
mbi rrasat si shpata demoniane, dhe mirrte me vete të gjitha pengesat e vëna
nga fshatarët.
- Për të mos qenë mosmirënjohës, duhet të përmendet
një e mirë e vetme e tij; një e mirë që u lë fshatarëve tek dera pasi tërheq
ushtritë e rrëkeve.
Është rëra e qelibartë ajo që mbetet si gjurmë e
dobishme, mes gjurmëve të shëmbjeve dhe shkatërrimeve.
- Kjo dukuri edhe mund të mirret si një ujdi e
imponuar mes përroit dhe fshatarëve të varfër...
- Gonit, duke pëshpëritur me zë të ulët sipas
rregullës së vjetër, iu afrua pas krahësh kryeplaka e lagjes, syve dhe
veshëve të së cilës nuk i shpëtonte gjë pa vërejtur...
- Të mora vesh - i tha, ëndërr të mirë paske parë...
- Po ti, nga mbive këtu si hithër!..
- Me tonin që foli, ia bëri me dije se nuk i pëlqeu
aspak përgjimi i saj...
- Dëgjo biro! - filloi plaka me zë më dashamirës, me
aq sa di unë nga këto punë dhe sipas ëndrrës që ke parë, kopshti i gjelbër
tregon nusen tënde, ndërsa guri i zi në mes të kopshtit, është një pengesë
që do të dalë përpara këtij fati të mbarë...
- Plaka iku pa thënë asgjë më tepër.
- Ai mbeti përballë kroit edhe një copë here, duke
sjellë e pështjellë në mendje gjykimin e plakës, që foli me aq siguri si të
kishte fatin e botës në dorë...
- Nga mesi i lagjes ishte nisur për në krua grupi i
vashave të mbuluara me gjethe shtogu, duke mërmëritur fjalët e ritualit të
shiut: dordoleci bie shi, dordoleci... fjalët tjera nuk kuptoheshin mirë nga
kodra ku ndodhej ai.
Ato, duke pësëritur tekstin e ritualit, futeshin
nëpër oborret e shtëpive, ku shpërbleheshin me nga një grusht miell dhe
stërpikeshin me një enë të mbushur me ujë...
Pjesë nga romani “Ankthi i artë”

|