Historia e logjikës duhet
të jetë me interes për këdo që aspiron drejt të menduarit që është korrekt,
apo të paktën i arsyeshëm. Ky ese ilustron qasjet e ndryshme ndaj kërkimit
intelektual dhe njohjes njerëzore më në përgjithësi. Të reflektuarit mbi
historinë e logjikës na detyron të reflektojmë mbi atë se çfarë do të thotë
të jesh një agjent kognitiv i arsyeshëm, se si të mendosh si duhet. A do të
thotë kjo që të përfshihesh në diskutim me të tjerët? A do të thotë që të
mendosh për vete? A do të thotë që të bësh përllogaritje?
Te Kritika e Arsyes së
Kulluar [Critique of Pure Reason] (1781), Immanuel Kant deklaronte se që
nga koha e Aristotelit nuk qe bërë asnjë progres në logjikë. Prandaj ai
konkludon se logjika e kohës së tij kishte arritur pikën e përfundimit. Nuk
kishte më punë për të bërë. Dyqind vjet më vonë, pas zhvillimeve
marramendëse të shekujve 19 dhe 20, me matematizimin e logjikës nga ana e
mendimtarëve si George Boole, Gottlob Frege, Bertrand Russell, Alfred Tarski
dhe Kurt Godel, është e qartë se Kanti e kishte krejt gabim. Por, ai e
kishte poashtu gabim të mendonte se nuk kishte pasur progres që nga koha e
Aristotelit. Sipas Një Histori e Logjikës Formale [A History of Formal
Logic] (1961) nga i shquari J M Bochenski, periudhat e arta për logjikën
ishin në kohën e Greqisë së lashtë, në periudhën e skolastikës mesjetare,
dhe në periudhën matematikore të shekujve 19 dhe 20. (Përgjatë këtij
shkrimi, fokusi është mbi traditat logjike që u shfaqën kundrejt prapavijës
së logjikës së Greqisë së lashtë. Pra, logjika indiane dhe kineze nuk janë
të përfshira, por logjika mesjetare arabe, është.)
Përse Kanti nuk e përfilli
traditën skolastike? Dhe, parë përgjithësisht, si shpjegohet ‘rënia’ e
logjikës pas periudhës skolastike? Edhe pse në epokën moderne logjika mbeti
pjesë e rëndësishme e planit mësimor, në atë kohë nuk kishte ndonjë zbulim
thelbësor që ia vlen të përmendet (me përjashtimin e disa zhvillimeve në
shekullin e 17-të, nga Gottfried Wilhelm Leibniz). Në fakt, shumë prej
arritjeve skolastike u humbën, dhe logjika e mësuar gjatë kësaj periudhe
(ajo së cilës i referohet Kanti) ishte në të shumtën rudimentare. Thënë të
drejtën, rënia e logjikës skolastike nuk ndodhi përnjëherë, e në disa rajone
(p.sh., Spanjë) puna inovative në traditën skolastike vazhdonte të shfaqej
deri në shekullin e 16-të. Megjithatë, thënë në përgjithësi, logjika
skolastike u bë gjithnjë e më pak e spikatur pas përfundimit të Mesjetës,
përpos për qëllime edukative në universitete (por përsëri, vetëm në versione
të tëholluara).
Kishte shumë shkaqe që
shkaktuan rënien e logjikës skolastike. Mbase më i famshmi prej tyre, qe
kritika e rëndë prej autorëve rilindas si Lorenzo Valla. Këta mendimtarë
vajtonin mungesën e aplikueshmërisë së logjikës skolastike. Valla, për
shembull, i shihte silogjizmat – argumentet e përbëra nga dy premisa dhe një
përfundim, ku të gjithat prej tyre janë të formës ‘Disa/Të gjitha/Asnjë A
(nuk) është B’, premisat e së cilave kërkojnë të vërtetën e përfundimit – si
një tip artificial i të arsyetuarit, i padobishëm për oratorët për shkak të
të qenit shumë larg nga mënyrat e natyrshme të të folurit dhe të
argumentuarit. Ata e kritikuan ashpër latinishten e shëmtuar, kaba,
artificiale dhe tejet teknike të autorëve skoloastikë, dhe arsyetuan për një
kthim drejt latinishtes klasike së Ciceronit dhe Virgjilit. Në të shumtën,
këta kritikë nuk i përkisnin sistemit universitar, ku në shekullin e 15-të
skolasticizmi ishte ende norma. Ndryshe, ata prireshin të ishin shërbyes
civilë, pra ishin të përfshirë edhe në politikë, në administratë dhe në
jetën civile në përgjithësi. Ata ishin shumë më shumë të interesuar në
retorikë dhe bindje, se sa në logjikë dhe demonstrim.
Një arsye tjetër pse
logjika gradualisht e humbi spikatjen e saj në periudhën moderne ishte
braktisja e mënyrave dominante dialektike të kërkimit intelektual. Një
pasazh i Rene Descartes-it – po, ai tipi që krijoi një sistem të tërë
filozofik duke ndenjur i vetëm pranë zjarrit, i veshur me këmishë nate –
përfaqëson këtë ndryshim në një mënyrë veçanërisht prekëse. Duke folur
lidhur me atë se si duhet të vazhdohet me edukimin e një nxënësi të ri, te Parimet
e Filozofisë [Principles of Philosophy] (1644) ai shkruan:
Pastaj, ai duhet të
mësojë logjikë. Nuk e kam fjalën për logjikën e Shkollave, se thënë troç,
kjo nuk është asgjë tjetër pos dialektikë që mëson mënyrat se si t’iu
parashtrohet të tjerëve atë që tashmë di, apo madje edhe se si të predikohet
pa menduar mirë rreth gjërave të cilat nuk i di. Në vend të kësaj, e kam
fjalën për logjikën që na mëson se si të drejtojmë arsyen kah qëllimin i
zbulimit të të vërtetave për të cilat ne jemi ende injorantë.
Descartes-i i bie në të kur
pohon se logjika e Shkollave (logjika skolastike) nuk është logjikë e
zbulimit. Qëllimi i saj kryesor është justifikimi dhe parashtrimi, që ka
kuptim posaçërisht duke marrë parasysh prapavijën e praktikave dialektike,
ku bashkëbiseduesit shpjegojnë dhe debatojnë për gjërat që tashmë i dinë. Në
të vërtetë, gati përgjatë tërë historisë së logjikës, si në Greqinë e Lashtë
dhe në traditën mesjetare latine, ‘dialektika’ dhe ‘logjika’ merreshin si
sinonime.
Deri te koha e Descartesit,
aplikimi kryesor i teorive logjike ishte qe t’iu mësohej studentëve të
performojnë mirë në debate dhe polemika, dhe se si të teorizojnë mbi vetitë
logjike të asaj se çka rrjedh nga çka, aq sa kjo është komponentë thelbësore
e praktikave të tilla argumentative. Është e vërtete që të gjithë e mendonin
logjikën në këtë mënyrë: Thoma Akuini, për shembull, thoshte që logjika ka
të bëjë me ‘qëllimet e dyta’, afërsisht ato që ne i quajmë koncepte të
rendit të dytë, apo koncepte të koncepteve. Por edhe deri në fund të
shekullit të 16të, teologu spanjoll Domingo de Soto do shkruante me
vetëbesim se ‘dialektika është arti i shkencës dhe diskutimit’.
Lidhja e ngushtë mes
logjikës tradicionale dhe praktikave të debatit, daton qysh nga periudha
klasike Helene. Veprimtaria intelektuale atëherë ishte thelbësisht një
çështje dialogore, siç shihet te dialogët e Platonit. Në këta dialogë,
Sokrati angazhohet rregullisht në praktikën e përgënjeshtrimit (elenchus),
që konsiston në një shkëmbim të pyetjeve dhe përgjigjeve në të cilat
bashkëbiseduesit do të përfundonin së pohuari të kundërtën e asaj çfarë
kishin deklaruar në fillim, në bazë të përgjigjeve që kishin dhënë rrugës.
Dhe dy prej teksteve logjike të Aristotelit, Temat [Topics] dhe Përgënjeshtrime
Sofiste [Sophistical Refutations], kanë të bëjnë shprehurazi me
praktikat dialektike dhe përmbajnë një disiplinë ushtarake të këtyre
praktikave me anë të një përshkrimi abstrakt të cilësive të tyre
strukturore.
Analitika Paraprake
[Prior Analytics], më
abstrakti nga tekstet logjike të Aristotelit, është i mbushur me fjalor
dialektik dhe më referenca për praktikat e debatit. Për shembull, ai e
shqyrton çështjen e premisave të drejta për përfundimin që dikush dëshiron
të arrijë. Teknikat që diskutohen janë posaçërisht të dobishme në debatim.
Nëse një diskutuese do që të bindë bashkëbiseduesit e saj lidhur me teoremën
P, ajo kërkon teorema të tjera të cilat përfshijnë P, dhe të cilat
bashkëbiseduesit kanë shumë gjasë që t’i pranojnë. Me të pranuar T dhe Q, të
cilat së bashku përfshijnë P, bashkëbiseduesi pastaj shtrëngohet që të
pajtohet me P. Sheshit, siç do të ankohej më vonë Descartesi, kjo është një
qasje që është më e përshtatshmja për të argumentuar dhe për të bindur të
tjerët, por jo për të zbuluar të vërteta të reja.
Spikatja e dialektikës
vazhdoi deri në lashtësinë e vonë. Prej periudhës mesjetare latine, fokusi
mbi debatin u bë edhe më i shprehur kur u institucionalizua me shfaqjen asaj
që njihet si ‘diskutimi skolastik’. Diskutimi skolastik është një procedurë
e formalizuar dhe rigoroze e debatit, që bazohet mbi rregulla bukur të
rrepta. Ai ishte frymëzuar prej metodave argumentative të Greqisë së lashtë,
dhe u zhvillua edhe më tej në manastiret e Mesjetës së hershme (mbase për
befasi, duke pasur parasysh reputacionin e jetës kontemplative). Ai mbërriti
majat në shekullin e 12të me lindjen dhe zgjerimin e universiteteve, ku u bë
edhe metoda kryesore e të mësuarit, përkrah komentimit tekstual. Dhe ndikimi
i diskutimeve shkonte përtej universiteteve, duke u zgjeruar në sfera të
shumta të jetës kulturore. Diskutimet ishin njëra nga qasjet kryesore ndaj
kërkimit intelektual në Evropën Mesjetare.
Një diskutim [disputation]
fillon me një deklaratë, dhe pastaj vazhdon me të shqyrtuarit e argumenteve
për dhe kundër deklaratës. Kjo procedurë sjell në mendje lojën e pyetjeve
dhe përgjigjeve të përshkruara nga Aristoteli te Temat, ku deklarata
fillestare mund të lexohet si një pyetje: ‘X, po ose jo?’ Kjo është në thelb
një praktikë dialogore ku marrin pjesë dy persona që nuk pajtohen për një
deklaratë të dhënë dhe që prodhojnë argumente për të mbrojtur pozitat e tyre
respektive, edhe atëherë kur të dy rolet mund të luhen nga një dhe i vetmi
person. Qëllimi mund të jetë thjesht për të bindur bashkëbiseduesin tuaj apo
publikun, por implikimi është se zakonisht arrihet diçka tjetër, më e
thellë, si për shembull t’i afrohesh së vërtetës lidhur me çështjen në
fjalë, përmes shqyrtimit të kësaj çështjeje prej këndeve të ndryshme.
Intelektualët mesjetarë
përfshiheshin në diskutime ‘të drejtpërdrejta’ si privatisht, mes profesorit
dhe studentit, dhe si ngjarje të mëdha publike ku merrte pjesë i gjithë
komuniteti universitar. Por, struktura e përgjithshme përdoret gjërësisht
poashtu në disa prej shkrimeve më të spikatura të autorëve mesjetarë (disa
prej të cilëve, në fakt janë versione të shkruara të diskutimeve që kishin
ndodhur vërtet, të njohura si reportatio). Librat shkollorë të
logjikës ofronin trajnimin e nevojshëm për të shkëlqyer në artin e
diskutimit, me kapituj mbi idetë e gabuara, mbi pasojën, strukturën logjike
dhe domethënien e teoremave, dhe mbi “obligations” (diskutime tejet
të stilizuara), prej ku të gjitha janë drejtpërdrejt relevante për artin e
diskutimit (edhe pse disa prej tyre mund të përdoren edhe për qëllime të
tjera, si interpretimi tekstual dhe komentimi). Kjo prani e gjithanshme e
diskutimit dhe zhanreve të afërme është përshkruar si ‘institucionalizim i
konfliktit’.
Diskutimet qenë kryesisht
të lidhura me kulturën universitare të Mesjetës së vonë. Në pasazhin
kuptimplotë të përmendur më lart, Descartes-i flet për ‘logjikën e
Shkollave’, duke kritikuar kështu tërë qasjen ndaj edukimit të bazuar në
diskutime dhe logjikën mbi të cilën ndërtohen ato. Mendimtarët e Rilindjes
kritikonin skolasticizmin për mungesën e angazhimit në çështjet që ishin me
interes për shoqërinë e gjerë, dhe ata mbanin oratorin për intelektual ideal
para debatuesit skolastik. Formalizmi i tepërt i diskutimeve skolastike u bë
subjekt i përgojimit dhe përqeshjes, si për shembull te vepra e Molierit
Pacienti imagjinar [Le Malade imaginaire] (1673), ku pedanti dhe disi i
pamendi Thomas Diafoirus përdor fjalorin disputacional për të argumentuar
për dashurinë:
Distinguo, Mademoiselle;
për gjithçka që nuk ka të bëjë me posedimin e personit që do, concedo, e
pranoj; por për atë që e merr parasysh këtë posedim, nego, e mohoj.
Megjithatë, rënia e
kulturës disputacionale nuk ishte i vetmi shkak i vdekjes legale të logjikës
skolastike. Logjika skolastike shihej gjithashtu – me te drejtë a jo – si e
lidhur me konceptimet aristoteliane për gjuhën dhe metafizikën, të cilat po
ashtu ranë në sy të keq në agimin e epokës moderne, me ngritjen e paradigmës
së re shkencore. Përkundër të gjitha këtyre, diskutimet [disputacionet]
vazhduan të praktikohen për një kohë në kontekste universitare të caktuara -
ç’është e vërteta, sot ato frymojnë në karakterin ceremonial të mbrojtjes së
doktoraturave. Por çështja është se pati një ndryshim dramatik në stilin
filozofik të periudhës së hershme moderne: krahasoni tekstet kryesore të
mendimit mesjetar, Summa Thelogica të Thoma Akuinit, që është
tejpërtej disputacional, meMeditimet mbi Filozofinë e Parë [Meditations
on First Philosophy] nga Descartes, një libër ku argumentohet përmes
paragrafëve të gjatë në vetën e parë njejës. Me rrënimin e diskutimit,
ndryshoi natyra e kërkimit intelektual.
Po ashtu nuk është rastësi
që rrënimi i kulturës disputacionale rastisi afërsisht me futjen në përdorim
në Europë të teknikave të reja të printimit nga Johannes Gutenberg, rreth
vitit 1440. Para kësaj, librat ishin produkte të rralla, dhe edukimi bëhej
gati ekskluzivisht përmes kontaktit oral mes profesorëve dhe nxënësve në
formën e ligjëratave shpjeguese ku librat lexoheshin me zë, diskutimeve të
llojeve të ndryshme, e shqyrtimeve. Afër dy shekuj më vonë, në kohën e
Descartesit, ideja që një person mund të edukojë vetveten përmes librave (që
do të ishte diçka e paparamenduar para disponueshmërisë së gjerë të librave
të shtypur) ishte tashmë e përforcuar.
Për më tepër, siç
sugjerohet nga pasazhi i Descartesit, vet termi ‘logjikë’ tash përdorej për
diçka tjetër prej asaj që kishin menduar skolastikët. Në vend të kësaj,
autorët e hershëm modernë theksojnë rolin e risisë dhe zbulimit individual,
siç shëmbëllehet nga libri me ndikim Port-Royal Logic (1662), që, në
themel, është versioni logjik i Kartezianizmit, i bazuar në konceptimet e
Descartesit për operacionet mendore dhe për primacinë e mendimit mbi gjuhën.
Sido që të jetë, nga perspektiva e shekullit të 21-të, logjika skolastike
mesjetare është mbase më meritore për titullin ‘logjikë’ se sa puna e bërë
në periudhën e hershme moderne nën këtë titull, duke qenë se i afrohet më
shumë nivelit të rigorozitetit dhe sofistikimit formal që filloi të
asociohej me logjikën që nga fundi i shekullit të 19të e tutje.
Në periudhën moderne, një
numër i filozofëve filluan ta shohin natyrën e logjikës në terma të
fakulteteve të mendjes [faculties of mind]. Thënë të drejtën, kjo është
përsëri një temë e pranishme në mendimin skolastik mesjetar (në veprën e
autorit të shekullit të 14-të Pierre d’Ailly, për shembull), por në
periudhën e hershme moderne u bë pikëpamje dominante. Kjo na kthen te Kanti,
për të cilin logjika i përkiste mbi të gjitha strukturave të mendimit si të
tilla, dhe operacioneve të mendjes, siç vërehet te interpretimi i tij i
kategorive aristoteliane. Për Kantin, konceptet themelore logjike, sikurse
të nxjerrit e inferencës nga premisat te konkluzioni, asociohen me
operacionet e brendshme të mendjes, më përpara se me lëvizjet në një situatë
argumentative.
Përderisa pikëpamjet e
Kantit mbi logjikën ishin ende me ndikim, në shekullin e 19të, logjika
ndërmori edhe një kthesë tjetër, këtë herë drejt matematikës. Te Analiza
Matematikore e Logjikës [The Mathematical Analysis of Logic] (1847),
Boole, një matematikan anglez shumë inovativ, inauguroi një program
hulumtimi tërësisht të ri. Kjo qasje kishte pararendës në shekullin e 17-të,
posaçërisht por jo vetëm Leibnizin. (Thomas Hobbes thoshte poashtu se i
gjithë të menduarit është çështje përllogaritjeje.) Sidoqoftë, Boole duket
të ketë qenë kryesisht i pavetëdijshëm për këto zhvillime të hershme, meqë
shumicën e edukimit të tij të hershëm e kishte bërë vet, duke përfshirë edhe
matematikën e përparuar.
Boole zhvilloi një metodë
për të ‘llogaritur’ se a ishte i drejtë një argument apo jo, që është në
kontrast me qasjen e bazuar në katalogë të logjikës tradicionale. Vepra e
Boole nisi atë që njihet si algjebra e traditës logjike, dhe shtyu idenë e
përdorimit të simbolizmit matematikor në lidhje me logjikën. Boole po i
përgjigjej interesit në rritje për logjikën mes matematikanëve, dhe në
mendimin e tij ai mbeti kryesisht Kantian, por vepra e tij përfaqëson pa
dyshim një kthesë të madhe në historinë e logjikës: nisi periudhën
matematikore që veçohet nga Bochenski si njëra prej periudhave më pjellore
në historinë e logjikës.
Figura tjetër vigane e
logjikës së shekullit të 19-të është Frege. Profesor i matematikës në
qytetin gjerman të Jenës, në vitet e para të karrierës së tij ai punoi në
tema standarde matematikore sikurse gjeometria dhe analiza, por pastaj
zhvilloi interese filozofike edhe pa pasur ndonjë edukim formal filozofik.
Përderisa Boole (të cilin Frege e kritikonte ashpër) përdorte matematikën
për të analizuar logjikën (silogjizmat), projekti i Freges ishte që të
përdorte logjikën për të analizuar matematikën. Më në veçanti, Frege donte
që të t’i jepte matematikës themele të kulluara logjike, një përpjekje që u
bë e njohur si programi logjicist. Ai synonte që të derivonte të gjitha të
vërtetat e aritmetikës nga parimet e kulluara logjike (aksiomat), duke
përdorur vetëm rregulla logjike. Me këtë qëllim, Freges iu desh ta
‘matematizonte’ logjikën në mënyrë që ta bënte më të përshtatshme për
programin logjicist, posaçërisht duke marrë nocionin matematik të funksionit
si gurthemel të sistemit të tij. I inspiruar haptazi prej traditës së
gjuhëve artificiale të shekullit të 17-të (veprës së Leibnizit në veçanti),
Frege sajoi një simbole krejt të reja për sistemin e tij, të cilin e quajti
‘koncept-skriptë’ (ose Begriffsshrift). Në parafjalën e librit të tij
Begriffsschrift (1879), ai ofron një përshkrim ndriçues lidhur me motivet e
prezantimit të kësaj gjuhe të re:
Hapi im fillestar ishte
përpjekja për të reduktuar konceptin e renditjes në sekuenca te ajo e
pasojës logjike, në mënyrë që të nga aty të vazhdoj drejt konceptit të
numrit. Për të parandaluar që çka do intuitive të depërtojë pa u vënë re,
mua m’u desh të bëjë të gjithë përpjekjet e mundshme për të mos lënë
zbrazëtira në zinxhirin e inferencave . Duke tentuar që t’i përgjigjem kësaj
kërkese në mënyrën më strikte të mundshme, unë pashë se papërshtatshmëria e
gjuhës po bëhej pengesë; pa marrë parasysh se sa të ngathëta shprehjet që
isha i gatshëm t’i pranoj, unë isha gjithnjë e më pak në gjendje, përderisa
relacionet bëheshin gjithnjë e më të ndërlikuara, që të mbërrij precizitetin
që e kërkonte qëllimi im. Kjo defiçiencë më çoi te ideja e koncept-skriptës
së tanishme. Prandaj, qëllimi i saj kryesor është që të na mundësojë testin
më të besueshëm për validitetin e një zinxhiri inferencash dhe që të vë në
dukje çdo pandehje që mund të kalojë pa u vënë re, në mënyrë që të
hulumtohet origjina e saj.
Ideja se gjuha e zakonshme
është shprehimisht e papërshtatshme për llogari të të arsyetuarit
matematikor (madje edhe logjik) u bë një temë e gjithpranishme në traditën e
nisur të logjikës matematikore, aq sa edhe vet termi ‘logjikë simbolike’ u
bë sinonim me këtë traditë.
Të bësh logjikë tash,
thjesht kishte kuptimin e të punuarit me simbole speciale, jo me fjalë të
zakonshme. Në këtë aspekt, ia vlen të vihet re se autorët humanistë kishin
kritikuar latinishten e logjicienëve skolastikë pikërisht se ishte ‘tepër
artificiale’, e madje edhe gjuha greke mbi të cilën mbështetet Aristoteli
për logjikën silogjiste është e regjimentuar dhe e zhvendosur prej formave
të zakonshme të të folurit në atë kohë. Në një mënyrë, mbase një shkallë e
caktuar e ‘artificialitetit’ qëndron në thelbin e logjikës përgjatë
historisë, që operon në nivele të abstraksionit që janë në kundërshtim me
përdorimin e zakonshëm të gjuhës.
Frege nuk ishte i vetmi që
punonte mbi themelet e matematikës me vegla logjike. Ç’është e vërteta, me
fundin e shekullit 19-të kishte shumë projekte të rëndësishme për
aksiomatizimin e disa pjesëve të matematikës që udhëhiqeshin nga
matematikanë të shquar si Richard Dedekind, Giuseppe Peano, Oswald Veblen
dhe David Hilbert. Por Frege qe i pari që kuptoi se jo vetëm që aksiomat
mund të shprehin në terma logjike – vet rregullat e inferencës që çojnë nga
aksiomat te të vërtetat e mëtejme kërkojnë një trajtim rigoroz, po ashtu.
Fatkeqësisht, katedralja
madhështore teorike e Freges qëndronte mbi themele të brishta, sikurse u bë
e ditur nga Russell me zbulimin e paradoksit që mban emrin e tij. Sistemi
logjicist i Freges bën të mundur ekzistencën e një përmbledhjeje që edhe i
përket edhe nuk i përket vetvetes – kontradiktë! (Një intepretim intuitiv i
idesë qendrore në paradoksin e Russellit, është i ashtuqajturi paradoks i
berberit: imagjinoni një berber që rruan të gjithë ata, dhe vetëm ata, të
cilët nuk rruhen vet. Pyetja është, a rruhet vet berberi? Nëse po, atëherë
jo; nëse jo, atëherë po.) Ishte me qëllimin e rigjetjes dhe zhvillimit të
mëtejshëm të programit logjicist, që Russell dhe bashkëpunëtori i tij Alfred
North Whitehead vazhduan drejt zhvillimit të një sistemi monumental (dhe
disi të çrregullt) të paraqitur në Principia Mathematica (1910). Në
thelb, të gjitha zhvillimet e mëdha në logjikë në shekullin e 20të bazohen,
drejtpërdrejt ose jo, në ekzistencën e Principia Mathematica.
Për t’iu kthyer
karakterizimit të Bochenskit për tri periudhat madhore në historinë e
logjikës, dy prej tyre, periudha e lashtë dhe periudha skolastike mesjetare,
qenë të lidhura ngushtë me idenë se aplikimi parësor i logjikës është te
praktikat e debatit, sikurse diskutimet dialektike. E treta prej tyre, për
kontrast, shëmbëllen një përsiatje krejt tjetër për logjikën, do të thotë si
degë themeltare e matematikës, dhe në asnjë mënyrë e lidhur me gjuhët e
zakonshme në të cilat zakonisht bëhen debatet. Boshllëku mes periudhës së
dytë dhe së tretë mund të shpjegohet nga rrënimi i diskutimeve skolastike,
dhe më në përgjithësi nga rënia e aristotelianizmit si një pikëpamje
gjithëpërfshirëse.
Megjithatë, gjurmët e
origjinës dialogore të logjikës vazhdojnë të shihen në zhvillimet e fundit,
që do të thotë se të marrësh parasysh perspektivat dialogore dhe dialektike
është esenciale për të kuptuar natyrën e logjikës madje edhe në
matematizimet e kohës së fundit – po ashtu sepse vet matematika është një
çështje dialogore. Historia e logjikës po ashtu na bën të vëmë në pyetje
konceptimin tejet individualist të dijes dhe të jetëve tona kognitive të
cilat i kemi trashëguar prej Descartesit dhe të tjerëve, dhe mbase për të
lëvizur drejt një vlerësimi më të madh për natyrën shoqërore në thelb të
njohjes njerëzore.
Catarina Dutilh
Novaes është profesore e filozofisë dhe Rosalind Franklin fellow në
Departamentin e Filozofisë Teorike në Universitetin e Groningenit në
Hollandë. Vepra e saj fokusohet në filozofinë e logjikës dhe matematikës.
Libri i saj i fundit është Shoqëruesi i Cambridge-t për Logjikën Mesjetare
[The Cambridge Companion to Medieval Logic] (2016).
|