Nuk ka mbetur titull gazete dhe reviste pa
ekspozuar histori dhe portrete njerëzish "të famshëm"... që mbeten të
kategorizuar kryesisht në artistë dhe politikanë. Sa janë të famshëm
vërtetë, për çfarë janë të famshëm, apo aspirojnë të jenë të tillë? Janë
artistë, apo pseudoartistë? Politikanë apo pseudopolitikanë? Kanë famë apo
paraqiten si të tillë? Një pjesë e mirë duan të jenë të famshëm dhe këtu nuk
ka asgjë të keqe për sa kohë "famës" i lihet kohë të zhvillohet dhe
shpërthejë. Në fakt, e keqja qëndron në tendencën për ta implantuar famën,
pa pasur as dhuntinë dhe as zotësinë minimale për ta zotëruar atë. Është
fama një maskë trendy, apo një tregues i suksesit?
Çfarë i motivon njerëzit të mbajnë një maskë të
tillë? Shoqëria promovon modele të tilla njerëzish dhe kjo nuk bën gjë
tjetër veçse polarizon në "të famshëm" dhe "të pafamshëm". Çfarë kanë të
parët që ndjell zili për të dytët? Ndoshta ata kanë gjithçka që nuk mund të
kenë të dytët dhe kjo shkakton turbulenca të forta psiqike, aq sa të dytët
krahasohen dhe identifikohen vazhdimisht me figura të famshme për të
"kuruar" konceptin e tyre për veten. Me fjalë të tjera, ata shpenzojnë më
shumë kohë me famën e të tjerëve se sa me veten e tyre apo zbulimin-e
pasurive të brendshme që mund t'i çojnë drejt suksesit personal. Po ç'vlerë
ka suksesi personal sot për shqiptarët? Duket sikur ky është tërësisht i
konvertuar në "para" dhe "pushtet", i zhveshur nga vlerat njerëzore. Përveç
pushtetit, fama përcjell një vëmendje speciale, atë publike... dhe, cili nuk
do të dëshironte një vëmendje unike në këmbim të asaj të munguar apo të
copëtuar? Kjo tregon një nevojë specifike të individit, një nevojë për të
qenë me çdo kusht në qendër të vëmendjes si një i vetëm/e vetme. Për të mos
u thelluar në anën patologjike që lidhet me nevojat e fshehura për të gjetur
me pahir "famën", hedhim një vështrim në kopertinat e revistave. Njerëzit e
famshëm dhe historitë e tyre "mahnitëse" rregullisht çorodisin lexuesit me
"shembujt" personalë dhe të famijleve të tyre. Sigurisht që kjo varet nga
perceptimet subjektive të lexuesve si dhe nevojat e tyre individuale.

Si nuk ndodh të lexojmë ndonjëherë mbi dështimet
e njerëzve të famshëm, dilemat e tyre, dhe mënyrat se si ata i menaxhojnë
ato! Ndoshta ata janë imunë ndaj këtyre situatave? Apo mbahen kaq fort pas
kësaj maske sa heqja dorë prej saj mund të rrezikojë ekzistencën e tyre?
Duket sikur fama-maskë ka funksion jetik për ta. Ndoshta janë lexuesit që
kërkojnë apo kanë nevojë më shumë të dëgjojnë për historitë e bujshme të
tyre, sepse mjaft halle e probleme mbart e përditshmja? Nuk besoj që kjo
mënyrë i vlen kujt. Të mësosh mbi jetën e njerëzve "të famshëm", vetëm
shmang vëmendjen e njerëzve nga problemet e tyre, nga realiteti i tyre, për
të mos thënë që herë-herë mund të thellojë krizën individuale.
Si nuk ndodh të lexojmë ndonjëherë mbi jetën e
individëve të zakonshëm, atyre që nuk reshtin së provuari për të arritur,
edhe pse rrëzohen, gjejnë forca të ngrihen dhe provojnë sërish; atyre që
përpiqen të shfrytëzojnë nnaksimalisht burimet personale e jetësore (edhe
pse të kufizuara) për t'i dhënë kuptim jetës së tyre! Nuk besoj që lexuesit
nuk duan të tilla histori. Këto janë histori më pranë realitetit të
shumicës, ndaj prekin më shumë dhe ndikojnë më shumë në jetën e njerëzve.
Janë histori që përmbajnë mesazhe të fuqishme mbi rëndësinë e vlerave
njerëzore në zhdukje. Personazhet e historive të tilla, pa qenë "të famshëm"
fitojnë famë... famë e cila jo vetëm ngjall dëshirë por edhe besim për
jetën, besimin që GJITHKUSH MUND T'IA DALË MBANË.
Autorja është Psikoterapiste
|