Kultura e të shprehurit me gojë apo shkrim, është më shumë se dhunti, jo
gjithmonë e lindur, më shumë e kultivuar nga përvoja e jetës, mbështetur mbi
përgatitjen profesionale, intelektuale, akademike etj. Pa dyshim, paraqitja
enorme e kësaj dhuntie, pasqyron edhe edukatën familjare, ambientin ku
ai/ajo është rritur dhe edukuar.
Paraqitje kjo, që në zanafillë ngërthen shtresat me një kulturë të ngritur
shoqërore, të cilat janë në koherencë të qëndrueshme mes raporteve njerëzore
të komunikimit social, ekonomik, filozofik, politik etj. Vlerë e çmueshme
kjo për stadin e një shoqërie në zhvillim. Megjithatë, paaftësia e
zbërthimit të të shprehurit si mision, qëndron edhe për faktin e nënçmimit
apo mbivlerësimit të palës kundërvënëse. Prandaj, jo gjithsecili di të
shprehet, përkundër vullnetit të mirë të tij, po aq sa, jo gjithë secili ka
kulturë për të dëgjuar dhe të mësoj nga dëgjimi i tjetrit me vëmendje, që i
thonë të zënit mësim!
Veç kulturës së të shprehurit, një vend po aq të rëndësishëm e zë edhe
kultura e dëgjimit. Të gjithë ata që kanë durim dhe urti për të dëgjuar
palën bashkëbiseduese, kanë shkallë të lartë ngritjeje dhe edukimi, mbi të
gjitha, kanë një përgatitje të lakmueshme psikologjike mbi bazën e së cilës,
ata formojnë konceptin e vlerësimit logjik mbi palën që debaton, apo
shprehet për një çështje të caktuar.
Për fat të keq, mangësinë fataliste të të shprehurit dhe të të dëgjuarit e
hasim përditë në debatet e “analistëve”, përmes shumicës së mediave tona,
ku nuk di as kush pyet e as kush përgjigjet, nuk di kush fletë e kush
dëgjon, ku të gjithë falsin përnjëherësh , ku të gjithë përgjigjen
përnjëherësh, ku krijohet një kakofoni zërash, ku nuk e merr vesh i pari të
mbramin dhe askush askënd, ku vërehet mungesa e theksuar e kulturës dhe
përgatitjes profesionale e cila pastaj plotësohet më sharje dhe shfryrje që
kalon deri në banalitet!…

Grupin e tretë e përbëjnë ata që argumentin e shprehjes e mbështesin mbi
argumentin e forcës, që çirren e zhurmojnë me një paraqitje vulgare, ku fare
çartë vërehen simptomat e çrregullimit psikik deri në shkallë averzioni
organik. Ky grupim është i yshtur për të bindur të tjerët dhunshëm se vetëm
ata kanë të drejtë!, gjendje shpirtërore kjo, që ka tendencë të anojë më
shumë nga manitë e ndryshme që pamundësojnë realizimin e konceptit të një
dialogu të kulturuar e social të mirëfilltë. Përderisa mediat tona, me
vetëdije, gjejnë hapësirë edhe për këtë grupim, nuk përjashtohet mundësia se
edhe ato, janë prekura nga manitë e ndryshme që anojnë më shumë nga
injoranca moderne!
Grupim tjetër përfshin të gjithë ata, që botën e shohin vetëm përmes
prizmave të interesit personal, mbi këtë prizëm, ata asnjëherë nuk e mbrojnë
dhe nuk e thonë realitetin. Kjo kategori shoqërore, nuk zgjedh mjete për të
arritur qëllimin!, për të ruajtur interesat e veta meskine në shoqëri! Ata
në çdo kohë, në mënyrë permanente, janë me secilin - dhe njëkohësisht kundër
secilit!, natyrisht kur është në pyetje egoja personale, qoftë edhe në kohë
pushtimi, ata luajnë për mrekulli rolin e kameleonit!…
Për më keq, kjo kategori shoqërore, në kohën e pluralizmit sot, është me
secilin dhe njëkohësisht kundër secilit!, këta, janë emra të lakueshëm në
kohë, janë amorf të cilët përshtatën sipas momentit, aspirata e tyre e vetme
është: interesi personal mbi të gjitha!
Është fat i madh që bota nuk sillet rreth boshtit të manisë individuale, ajo
ka ligjet e veta dialektike, dhe nuk falë askënd. Ne, një ditë të gjithë, do
të jemi numra në zbritje, sa pak jemi të vetëdijshëm për numrat dhe
shumëzimin e tyre me numra njerëzish, të cilët dikur moti kanë kaluar në
kohë e nëpër kohë, as më shumë e as më pak se numra!…
|