Mbi autorësinë e
bibliografisë së Skënderbeut
Në Arkivin e profesor
Jup Kastratit, krahas materialeve të tjera nga fusha e bibliografisë, kam
pasur nderin të mund të fotokopjoj edhe materiale të tjera që lidheshin me
probleme të natyrës së komunikimit me individin dhe institucione shkencore
gjatë kohës, që profesor Jup Kastrati merrej me projekte të ndërliqshme
shkencore, siç ishte “Bibliografia e Skënderbeut”. Për kohen që u përgatit,
përtej karakterit shkencor, kjo vepër kishte dhe karakter politik dhe
kombëtar. Mes dokumenteve të karakterit kërkimor dhe shkencor, me lejen e
profesor Jup Kastratit, kam mundur të fotokopjoj dy materiale të së njëjtës
kohe (të cilat fillimisht mendoja se janë versione të njëra-tjetrës,
pavarësisht nga numri i madh i faqeve), ndërsa më vonë kam kuptuar se, në të
vërtetë, ato tekste plotësojnë njëra-tjetrën.
Dorëshkrimi i parë
mban titullin “Informacion mbi punën që kam bërë për hartimin e
“Bibliografisë së Skënderbeut” dhe ka 12 faqe, pa datë dhe vit, ndërsa
dorëshkrimi tjetër mban titullin “Relacion mbi punën që kam bërë për
hartimin e veprës “Bibliografi e Skënderbeut” dhe ka 32 faqe. Në fund të
dorëshkrimit të dytë është shënimi Shkodër, 10 gusht 1974. Në te dy
dorëshkrimet, faqet kanë nga 36-37 rreshta makine dhe duket qartë se teksti
i pare është dërguar për individë dhe institucione të caktuara, ndërsa
teksti i dytë, ndonëse shumë më i gjerë, nuk ka ndonjë ndryshim esencial të
përmbajtjes. Ky tekst plotëson dhe përplotëson të parin, përveçse me të
dhëna të reja brenda tekstit, dhe me anekse të shumta që shoqërojnë
dorëshkrimin prej 32 faqesh, të cilat gjenden në fondin e personal të
Arkivit të profesor Jup Kastratit dhe në Fondin e Albanologjisë në
Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Rëndësia e këtyre
dorëshkrimeve qëndron në faktin se ato hedhin dritë në disa fakte shumë të
diskutueshme, siç është autorësia e veprës, autorësia e parathënies, gjendja
e kërkimeve dhe e rezultateve të vëllimit të dytë dhe të tretë, historia e
“botimit” të saj të pare etj. Pa dashur që të merrem me komentimin e një
mendimi, shpesh me shumë të përfolur sesa të shkruar, me rastin e botimit të
vëllimit të pare më 1997 dhe duke dashur që sado pak lexuesi të ketë një ide
për historikun e plotë të fillimit dhe përgatitjes së veprës, këtu po
sjellim (me lejen e profesorit të nderuar) dorëshkrimin e pare dhe të dytë,
që më shumë se një dëshmi, është një shembull për jetën shkencore të një
studiuesi dhe të institucioneve tona, se si duhet të sillemi dhe ta
përcjellim zhvillimin shkencor nder ne.
Pjesë nga libri " Mbi
autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut"
|