Për shumë dijetarë eminent botërorë që kanë lënë
gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të
thuhet thjeshtë se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar
dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto që kurrë
nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre. Nga lista e madhe e
emrave të këtyre personaliteteve shkencore, pa dyshim, dallohet edhe
psikiatri i famshëm me renome botërore Karl Gustav Jungu.
Karl Gustav Jungu, me profesion ishte
mjek-psikiatër, nxënës i dikurshëm dhe koleg i Sigmund Frojdit, ligjërues,
shkencëtar dhe studiues i madh në lëmin e psikologjisë dhe psikiatrisë,
autor i shumë punimeve dhe studimeve shkencore që e kanë futur atë në radhët
e emrave më eminent të shkencës bashkëkohore. Por, nga ana tjetër, vetëm një
numër i vogël i njerëzve dinte se, Jungu gjatë hulumtimeve të veta, për së
tepërmi ka qenë i interesuar për fenomene paranormale dhe parapsikologjike,
e veçanërisht për telepatinë (bartjen e mendimeve nga larg) dhe projeksionin
astral (udhëtimin e vetëdijshëm shpirtëror duke e braktisur trupin).
Sigurisht nga droja se mos i rrezikohet
reputacioni i madh që kishte si shkencëtar, ai këtë interesim kurrë nuk e ka
shprehur publikisht. Por, edhe sikur ta dinte opinioni i gjerë për këtë
realitet, dyshoj se mund të merrej si diçka e pabesueshme, sepse botërisht
ka qenë e njohur se fenomenet parapsikologjike në përgjithësi dhe marrja me
to, ishin si mani e trashëgimisë familjare. Për nënën e Jungut thuhej se
mbante një ditar ku regjistronte eksperiencat e veta paranormale, si dhe ato
që i dëgjonte prej të tjerëve. Ka mjaft dëshmi nga bashkëkohësit e vet se
edhe Jungu sa ishte fëmijë, dispononte me aftësinë paranormale të
TELEKINEZËS (lëvizjes së trupave fizik përmes ndikimit mental). Pasi që
kishte një pasion të madh për Niçen dhe filozofinë e tij, qysh sa ishte
nxënës në gjimnaz, intuitivisht ia qëllon se filozofi i famshëm kishte
Zaratustrën si model identifikimi dhe se ai ishte sëmurë psikikisht, mu pse
Zaratustra ka sunduar me qenien e tij. Më pas, një gjë e njëjtë i ka ndodhur
edhe vetë Jungut. Atij në ëndërr shpesh i paraqitej një plak me aftësi
magjike që e këshillonte dhe udhëzonte në jetë. Plaku quhej "FILIMON". Tek
dikur më vonë, Jungu ka kuptuar se plaku i ëndrrave të hershme ishte vetëm
UNI i tij i dytë (Alter ego).
Andaj, aspak nuk do të jetë i çuditshëm fakti se
pse pikërisht paranormalja dhe fenomenet parapsikologjike kanë lënë gjurmë
të rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme hulumtuese të
këtij shkencëtari të madh. Ndoshta, nisur mu nga këto ndikime, ka ardhur
edhe deri te shkëputja e tij definitive prej mësimeve të mësuesit të vet, S.
Frojdit, i cili, atëbotë ishte tejet i popullarizuar me teorinë e tij
famëmadhe të kushtëzimit të të gjitha raporteve dhe marrëdhënieve të
sjelljes së jashtme të njeriut me veprimin e brendshëm të epshit seksual.
Duke e kundërshtuar ashpër teorinë e Frojdit, Jungu konstatonte se në këto
sjellje dhe raporte të jashtme të njeriut, nuk ndikon kryekëput vetëm epshi
seksual, por ato janë të kushtëzuara edhe nga "fuqia jetësore" që
trashëgohet nga e kaluara mijëvjeçare e njerëzimit. Këtë fuqi ai e quan si
"ndërvetëdije kolektive". Në mbështetjen shkencore të kësaj teorie, Jungu,
në veprat e veta, prezantonte shumë shembuj, si ato të eksperiencave vetjake
paranormale, ashtu edhe ato të regjistruara dhe hulumtuara si përjetime të
të tjerëve.
Nga visari i madh i këtyre shembujve praktikë,
si njëra ndër dëshmitë më dramatike dhe më të pasqaruara të përjetimit
personal të paranormales, është "Misteri i librave të kuqe".
Misteri i librave të kuq"
Një mbrëmje, pasi që e ndjente veten paksa më të
lodhur, Jungu vendos të shkojë në shtrat më herët se zakonisht. Por, edhe
përpos dhuntisë që me çdo kusht të flinte, atë nuk e zinte gjumi. Ishte i
vërshuar tërësisht nga mendimet! Mu para disa orëve qe kthyer nga varrimi i
një miku të vet që banonte afër. Duke qëndruar ashtu i shtrirë në shtrat dhe
me sytë e hapur, profesor Jungu i bluante në kokë kujtimet e paharruara që
kishte kaluar me mikun e posa varrosur.
Derisa në mendje merrej me këto mendime, për
momentin e ndjen se dikush është në dhomën e tij të gjumit. Posa e vështron
me vëmendje hapësirën përreth dhomës, para tij, tejet qartë paraqitet hija e
figurës së një personi trupgjatë dhe të hollë për nga konstruksioni fizik.
Këtë figurë Jungu e identifikon si të mikut të vet, në varrimin e të cilit
ishte para disa orëve.
- "Qëndronte përballë shtratit tim mu afër
këmbëve dhe dukej i njëjtë sikur e kam njohur të gjallë. Butësisht më ishte
drejtuar me pyetjen, mos vallë dëshiroj të shkoj diku me të" - shkruante më
vonë Jungu. - "Duke e vrojtuar me habi këtë paraqitje të pazakonshme, nuk e
kisha ndjenjën e një pamje trupore fizike. Më tepër mund të thuhej se ishte
si një vizion, të cilin vetes ia kumtova si fantazi. Meqë ende isha i
shtrirë në shtrat dhe e vështroja këtë paraqitje me mosbesim, figura e mikut
vazhdoi të ecë deri tek dera e daljes duke më bërë shenjë me dorë. Në atë
çast, për veten konstatova se isha tërësisht në gjendje transi. Realisht nuk
u ngrita nga shtrati, por ndjeva sikur shpirti im shkoi pas tij. Më çonte
përmes rrugës, kah kopshti i shtëpisë së tij... dhe menjëherë, së bashku, u
gjetëm në dhomën e punës së mikut. Hija përcjellëse hipi mbi një karrige dhe
tregoi me gisht në librin e dytë nga shtatë librat e kuqe që ishin të vëna
mbi raftin e fundit të librave."
Me këtë përmbyllet ky vizion. Jungu, tërësisht i
habitur brof nga shtrati i fjetjes. E ndez llambën që e kishte pranë dhe me
të në dorë hulumton nëpër tërë shtëpinë. Pasi konstaton se dera kryesore e
hyrjes qe e mbyllur si zakonisht dhe vëren përreth se çdo gjë ishte në
vendin e vet, sërish shtrihet në shtrat dhe tek dikur vonë e zë gjumi. Të
nesërmen në mëngjes, ende i hutuar me ngjarjen e përjetuar nga nata e
kaluar, me padurim priste që ta vizitonte vejushën e mikut të vdekur. Pa i
treguar se çfarë i kishte ndodhur mbrëmë, nga ajo kërkon që në dhomën e
punës së bashkëshortit të saj të ndjerë, të verifikojë se mos rastësisht aty
e gjen një libër që i duhej. Ai ishte gjithmonë i mirëpritur në këtë shtëpi
dhe për këtë dëshirë nga nikoqirja nuk hasi në kurrfarë pengesash. Me
kureshtje të madhe hyn në dhomën e punës së mikut tashmë të ndjerë dhe
mbetet i befasuar nga ajo që vëren. Afër librave ende ishte po ajo karriga
ku mbrëmë, miku i vdekur, kishte hipur që t'ia tregonte librin. Menjëherë,
sytë i drejton në raftin e fundit me libra. Për çudinë e tij edhe më të
madhe, aty qëndronin të sistemuara shtatë libra me kopertina të kuqërremta.
Merr librin e dytë sipas radhës dhe në të lexon titullin: "Forca e të
vdekurve".
Tashmë Jungu s'kishte dyshim në vete! Ajo që i
kishte ndodhur mbrëmë, e tëra ishte e vërtetë.
Këtë rast të përjetimit vetjak, Jungu e ka
publikuar me plot pompozitet edhe në literaturat e veta studimore shkencore.
Meqë ai në jetën e përditshme ishte i njohur si njeri racional dhe serioz,
ky rast edhe në qarqet shkencore është pranuar si prezantim i besueshëm.
I joshur nga këto fenomene që sot e kësaj dite
mbeten ende të pasqaruara sa duhet, si një shkencëtar me reputacion, pa u
frikuar fare nga normat rigoroze të standardeve shkencore, Jungu, në mënyrë
origjinale, e ka trasuar rrugën e vet kërkimore kah thellësitë e panjohura
të mendjes dhe shpirtit.
Edhe pse tejet i frytshëm dhe me një karrierë të
bujshme shkencore, ndoshta mu për këtë shkas, ai edhe sot e kësaj dite,
merrej si shkencëtar kontradiktor dhe alternativ në psikiatrinë
bashkëkohore.
Dhe, për fund, do të ishte interesante të
konstatojmë edhe një realitet tjetër: pikërisht teoria e vënë nga Jungu mbi
ndikimin e ndërvetëdijes kolektive të qenies njerëzore në sjelljet
individuale të individit, nuk mund t'i vishej origjinalitetit të tij.
Okultizmi, magjia, hermetizmi, alkimia si dhe njohuri tjera të urtësive të
lashta, mijëra vite para Jungut e kanë njohur këtë fluid kolektiv dhe atë e
quanin si "niveli astral gjithëpërfshirës". Andaj, fare nuk do të mbetej i
pabazë konstatimi të cilin e dhamë në fillim të këtij artikulli:
"Për shumë dijetarë eminentë botërorë që kanë
lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës bashkëkohore, nuk mund të
thuhet thjeshtë se kanë qenë vetëm gjeni të talentuar, por ata kanë zotëruar
dhe janë marrë edhe me njohuri të fshehta okultiste, shënime këto, që kurrë
nuk janë publikuar haptas nga ana e biografëve të tyre".
|