Bashkudhëtar!..
mos pyet
ku i kam sytë
ti udhëtar
që fle nën hënë
e copëra dielli
ëndërron...
mos pyet
për sytë e mi...
i ke ballit,
janë në ty...
Çamëri!..
Të lidhën për një shekull
këmb` e duar
Të lidhën bij andartësh
të pabesë
Që nami kapedanëve të shuhet
Që emri veç ndër këngë të të mbesë...
Të lidhën e në plumba të përshkuan
Siç lidhën Arbërorët e Moresë,
Po mbete e pavdektë përmbi vdekje
O nder i Shqipërisë që s`di të vdesë!..
Mbaj mend...
stinë pa diej
mbaj mend,
dhe ëndrra
të mbeturan
peng...
mbaj mend
yjtë tek piknin
e dheu tek digjej
mbaj mend...
Kur Dheu i shenjtë kishte zjarr...
(Kadri Labënishtit)
ti zbrite nga kohë mitike
kur Dheu i shenjtë kishte zjarr,
e Dheut i dhe buzëqeshjet
që Dheu të qeshë veç pak...
ti mbive nga gjiri i Dheut
përngjashëm me zotërat e lashtë,
e nderi i Dheut kur deshti
nga gjiri i fale dhe gjak...
i fale pranverat e blerta
se Dheu i shenjtë kishte zjarr,
për vete i zgjodhe veç prangat
që ndere t`u bën` gjer në varr...
dhe ike një ditë me vjeshtën,
i qeshur si paqe e qielltë,
dhe ike se paqja të priste
në gjirin e Dheut të shenjtë.
Dy kapedanë!..
(dëshmorëve Fahri Fazliu & Afrim Zhitia)
kur buzëqeshja
vdista në pragje
e koha heshtte
si mumie e lashtë...
mbinë nga Dheu
nëpër tufanë
e ndezën qiellin
dy kapedanë...
Pjesë nga libri "Stinë pa diej"

|