POEZI ME FUGURSHMËRI BEFASUESE DHE FUNKCIONALE
Udhëtimi në universin e magjishëm të letërsisë e të artit kërkon
vënien në lëvizje, me motorin e frymëzimit hyjnor, të të gjithë botës
shpirtërore të krijuesit: përjetimin e perceptimeve të realitetit,
ndërthurjen e ndjenjave e të emocioneve me intuitën e meditimin, fluturimin
me krahët e fantazisë deri te yjet e galaktikat; shkëputjen prej realitetit
të përditshëm, abstraktimin e trillimin imagjinar të tipave, figurave e të
realiteteve të reja, duke flijuar shpesh qetësinë, gjumin dhe të mirat
jetësore. Ky udhëtim i mundimshëm që në pikënisje është dhe aventurë. Mjaft
poetë e prozatorë dështojnë shpejt. Disa lodhen e mbeten në mes të rrugës.
Disa të tjerë vijojnë kërkimin për të jetësuar ëndrrat e idealet e tyre
letrare e artistike.
Poeti Adem Zaplluzha ka 58 vjet që ecën përpara në këtë udhë.
Ka 58 vjet që ka paralajmëruar lexuesit për këtë rrugëtim me poezinë e tij
të parë për fëmijë, të botuar në revistën Pionieri, Prishtinë,
1957. Dhe tash libri Të dielave në qyteti tim, që lexuesi merr në
dorë, është guri i 123-të i kilometrazhit të tij në këtë rrugëtim të gjatë.
Kësisoj, ky autor arrin rekordin, arrin numrin më të lartë të botimit të
librave në gjuhën shqipe.
Duke shfletuar këtë libër, lexuesi përjeton kënaqësi të thellë
estetike. Kjo, në radhë të parë, falë tropeve e figurave të gjetura me
fantazi krijuese, të përdorura me mjeshtëri. Poeti i ka ndërthurur bukur e
natyrshëm ato në tema e motive të ndryshme, duke arritur t’i japë lexuesit
imazhe, refleksione e portrete të gjalla nga bota e tij shpirtërore,
mjediset shoqërore dhe kombëtare ku jeton, natyra e atdheu.
Këso dore, vjershat e këtij vëllimi, në vështrim të parë
abstrakte, madje disa sosh dhe të zakonshme, përftojnë lëndë poetike, marrin
jetë e konkretësi, marrin kontekst të gjerë, shpesh me theksa dhe nota
universale.
Ndryshimet dhe zhvillimet demografike në botën shqiptare
dhjetëvjeçarët e fundit janë shoqëruar dhe me dukuri të dhimbshme:
braktisjen e vendbanimeve fshatare nga banorët e tyre e largimin në qytete
apo në shtete të tjera. Kjo dukuri trazon thellë shpirtin e poetit
Zaplluzha, e bën atë të meditojë, të reflektojë e ta përshkruajë poetikisht:
Nëpër qoshet e një shtëpie boshe/ Nuk dëgjohen më zëzëllima
fëmijësh/ Ka kohë që janë braktisur pragjet/ Nga kjo shtëpi ikën diku
njerëzit/ Ikën edhe kanjushat/ Era i mbylli portat e bardha/ I mbylli me dry
të heshtjes/ Njeriu i fundit që banonte këtu/ Para disa ditëve/ Te varret e
qytetit gjeti një adresë të re (Asnjë flutur e humbur).
Me ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe estetike shfaqet autori
ndaj kultit të nënës, e cila për çdo njeri është hyjneshë tokësore. Ajo
edhe në botën tjetër ka fuqi, ndikim e pushtet të magjishëm për poetin:
Dora e jote si krah fluture
Në ballin tim
Sa herë që më zë ofshama
Ti zbret nga qielli
Dhe m’i lehtëson dhembjet
(Preke zjarrin e mallit tim).
Nënën ai e portretizon dhe si mëkuese të dashurisë për lirinë e
atdheut në kohët e errëta e të acarta të pushtimit serbo-sllav. Ato“endnin
nëpër ëndrrat e tyre/ Një pëlhurë prej shprese/ Që mos t’i zërë peng acari/
Lastarët e lirisë (Nënat këtu nuk kanë lot).
Por për poetin Adem Zaplluzha, drama kombëtare shqiptare shkroi
kapituj tronditës edhe në shekullin e njëzetë, sidomos në Kosovë:
Pa mëshirë troket ky korb i natës së zezë/ Njëqind vjet dëgjohen
trokitjet/ Në shpirtin e lënduar të atdheut (Nuk guxoj t’i hap).
Dhe, me gjithë fitoren e pavarësisë nga Kosova, poeti vë në pah se rreziku i
shovinizmave fqinje ende s’ka marrë fund:
Acari ende pret pas një shkurre
Për ta befasuar prenë
E dimrat e Ballkanit kafshojnë njëri-tjetrin (Nga syri i verdhë
i hënës).
Apo:
Atje te sukat e blerta
Presin lukunitë e tërbuara
Fëmijëria mbetet motiv mjaft i pëlqyer dhe mbresëlënës edhe për
poetin A. Zaplluzha. Nëpërmjet pak vargjeve, ai sjell imazhin e jetuar të
saj të trishtë e të mjerë si rrjedhojë e varfërisë së kohës:
Mbi një mullar të kalbur sane
Për çdo menatë
Na zgjonte nga ëndrrat tona
Zëri i trishtueshëm i skamjes.
Ndërkaq në atë sfond ai poetizon, me simbolin e gjelbërimit, dhe
jetën e romantikën e saj:
Mes këtyre murishtave të rrënuara
Rritej një bar i gjelbër
I cili ngjante
Me koralet e fëmijërisë
Që mbështilleshin për belin e hënës
(Bisedonin pleqtë e kërrusur).
Në vjershën “Nëpër rrugët e Prishtinës”, syri i poetit ka
rrokur një dukuri trishtuese shoqërore që bie në sy në shoqërinë shqiptare
të sotme: individualizmin dhe indiferentizmin e skajshëm:
Nëpër rrugët e zbrazëta të Prishtinës
Njerëzit ngjajnë me hijet që s’janë hije
Askush me askënd nuk bisedon
Secili nën kapelë e fsheh kokën e vet
Ose vetëm kapelat e shqyera bredhin rrugëve
Këtë mund ta vëresh dhe në Tiranë e në qytete të tjera
shqiptare, çka vjen si reagim ndaj kolektivizmit të skajshëm socialist të
kohës së perënduar, por dhe nga mungesa e konsolodimit dhe zhvillimit të
shëndetshëm të rendit të ri demokratik. Ndaj “Sterra këtu nëpër çdo
skutë/ I lëshon vezët e dyshimta të korbave”.
Për kriminalitetin ndër shqiptarët, populli ka krijuar një fjalë
të përbërë: vëllavrasje. Një fjalë kuptimplote dhe mbresëlënëse,
sepse të gjithë shqiptarët jemi vëllezër të një gjaku. Autorët prej Kosove
kanë krijuar një traditë të çmuar në krijimtarinë letrare me këtë temë.
Kujtojmë romanin “Gjarpërinjtë e gjakut” të Adem Demaçit me kumtin lapidar:
Jo atyre që janë trima, me shtri dorën e krimit.
Po atyre që janë trima, me shtri dorën e pajtimit.
Këtë temë, mjerisht edhe sot plagë shoqërore dramatike ndër
shqiptarët, poeti e shtjellon bukur, me një kumt mjaft emancipues dhe
emocionues në vjershën
As për hasmin tim:
Bëni çfarë të doni me mua/ Pasha një Zot/ Pasha këtë tokë e qiell/
Për vëlla/ Nuk kam kobure dot/ Bëni çfarë të doni me ashtin tim/ Hidhjani
cerberëve/ Në secilën arenë.../ Për vëlla pushkë nuk kam/ Më përbuzni deri
në asgjësim/ Por... s’do të kem kurrë urrejtje/ As për hasmin tim
Vjershat e këtij vëllimi janë ndarë në tre cikle:
-Ikja
e zogjve ndodhi edhe sivjet.
-Të
dielave në qytetin tim.
-I
ngjan një loje pagane.
Ato janë endur me një stil të thjeshtë e lirizëm të këndshëm, me
frymëzim e ndjenjë nga autori, janë estetizuar me metafora të bukura, që
krijojnë befasi në kuadrin e vjershave që vendosen. Kështu, për të ndryshuar
atmosferën disi të zymtë të natës dhe për ta bërë atë romantike e tërheqëse,
Ademi gjen vargjet:
Një hënë e dashuruar
I kreh flokët e mjegullave.
Apo më tej:
Flenë drurët në kopsht
Portreti i mjegullave sonte përkundet
Nën pjergullën e vjetër
Një punë të përgëzueshme ka bërë autori me gjuhën, duke gjetur
një fjalor të larmishëm poetik me fjalë burimore shqipe, duke përdorur një
sintaksë të çlirët e të kristaltë, çka i bëjnë tërheqës leximin dhe
perceptimin estetik të teksteve.
Avdyl Sulaj, poet, studiues, publicist
Qyteti “Bajram Curri”, 16 shkurt 2015
|