Sakras Art Gallery

Sekuenca filmike

Vegëza

RTK

TOP CHANNEL

RTV 21

ALSAT

TV KLAN

KLAN KOSOVA

BOTA.AL

ALBANIAPRESS

ALBINFO

EXPRESS

KOHA DITORE

ZËRI INFO

KOSOVA SOT

INSAJDERI

BOTA SOT

GAZETA METRO

GAZETA SINJALI

ALBANIAN POST

KALLXO COM

LAPSI.AL

ZEMRASHQIPTARE

KOSOVA PRESS

TELEGRAFI

EUROPA E LIRË

ZËRI I AMERIKËS

PSIKOLOGJIA

TRIBUNA SHQIPTARE

SHËNDETI

DITURIA

PRESHEVA.COM

GJUHA SHQIPE

KOSOVARJA

RADIOPROJEKT

Meditime 2 - NË VORBULLAT E JETËS (3)

Adnan ABRASHI

 

Pjesë nga romani

NË VORBULLAT E JETËS (3)

 

 

Në përkujtim të mikut tim të çmuar Adnan Abrashit që, aq papritmas, u nda prej nesh me 03 nëntor 2013!

 

...U nda  fizikisht për t'iu  bashkuar shpirtrave madhështor në panteonin e përjetësisë, aty ku e kanë vendin vetëm mendjet e ndritura, kokat e shquara të kombit e njerëzimit, nga ku na frymëzojnë e motivojnë neve sot... dhe gjeneratat në vazhdimësi, me veprat e shkëlqyera, që do e mbajnë gjallë përgjithmonë zërin e shpirtrave të tyre në mesin tonë.

 

Me respekt të përjetshëm për ty miku im i çmuar NANDA!

 

 

 

Më konvenoi ky propozim. Duhej ta gjeja sa ma shpejt momentin e përshtatshëm që ta caktoj takimin. Ai moment duhet të aranzhohej, ashtu që të dukej spontan.

- “Edhe pse etika ime profesionale nuk më lejon që të bisedoj me të tjerët për brengat e pacientëve të mi”, - vazhdoi më tej tregimimin e saj bregosës Zana – “beso se kam nevojë t’i rrëfehem dikujt..., shumë gjëra të këqija kanë ndodhur në këto anë gjatë luftës... as goja nuk më shkon se si t’i definoj...”

E kuptova ku e kishte fjalën dhe, duke deshur t’ia lehtësoja këtë hamendje, i thashë troq:

- “ Dhunime? Mendon në dhunime ..?” - E bëra këtë pyetje me një ndërhyrje të shpejtë në bisedë.

- “Ashtu, ashtu diçka... dhe më keq” - më tha- “...por lëre, lëre tani. Për këto dhe për shumë gjëra të tjera do të bisedojmë ndonjë herë tjetër”.

Nga zëri vërehej se ishte mjaft e shqetësuar. Humori i saj i mëparshëm përplot disponim, tani kishte marrë një dimension krejtësisht tjetër. Nuk u përmbajt:

- “Bishat..!.”- e tha si në histeri – “... Vetëm bishat mund të bëjnë një gjë të tillë. Paramendo, me fëmijë, femra dhjetë-dymbëdhjetë vjeçare... shkizofreni e shfrenuar kolektive e një hakmarrjeje të pakuptimtë... Si harrohen këto...? Më thauj, si të harrohen këto? Eh, femra shqiptare! Femra e mjerë dhe e përvuajtur shiptare! Dhe, jo vetëm kaq! E keqja më e madhe është se askush nuk i kupton ato.

Filloi të dënesë. Frymëmarrjen e kishte më të thellë. Ajo qante, duke u munduar që ta fshihte atë nga unë. E pashë të arsyeshme të ndërhyj disi dhe ta ndërpres këtë bisedë:

-“ Mirë Zanë, qetësohu”, - e inkurajova, - “ edhe kjo duhet përballuar”.

Mendova se ishte mu ai moment i përshtatshëm për ta caktuar takimin tonë, ku përveç zërit, do ta përjetoja edhe praninë e drejtëpërdrejtë të saj.

 - “Hë, mmm... mos është pak tepër, u bë gjatë në telefon? Të takohemi nesër, pasi të këthehesh nga fshati? Të pres në zyrë. Pajtohesh”?

- “Propozim plotësisht i qëlluar. Pajtohem! Shihemi, pra, nesër në zyrën tënde dhe bisedojmë më gjatë”, - ishte përgjigjja që unë kaherë e prisja me ankth.

Duke u përshëndetur, e ndërpreva lidhjen. Pranoi. As unë nuk u ndjeva aq indiferent ndaj rrëfimit të saj. Posa lëshova receptorin, mendova gjatë. Parafytyrimet nga më të ndryshme nuk më linin të qetë. Hapa dritaren dhe zgjata kokën në drejtim të hapësirës nga e cila në dhomë dëpërtoi një rrymë e fortë e ajrit të pastër. Me kokën që e kisha të zvaritur jashtë, me këtë veprim, sikur dëshirova të ajrosja edhe mendimet neveritëse që më kishin kapluar. Bëra disa hapa nëpër dhomë dhe mora vendimin e shpejtë. “Do të jetë mirë të shtrihem në shtrat dhe me trup të relaksuar të lejoj rrjedhën spontane të euforisë së tyre”. Ishte kjo njëra prej “blic” metodave orgjinale që unë e praktikoja rregullisht kur më atakonin shqetësimet e ndryshme me përmbajtje negative. Kur veproja kështu, sado të ishin të forta ato, gradualisht zbeheshin pa pasur hapësirë të përshtatshme të koncentrohen si “lavra energjetike” negative në ndërvetëdijen time…

“…Sa kemi vuajtur ne si popull dhe ende nuk vetëdijësohemi!” - ishte njera nga ato sifidat që më rizgjoi një botë mendimesh dhe ndjenjash në kokën time. “Ende pa i shëruar plagët tona kolektive nga lufta, ka forca politike nihiliste vendore që intensivisht angazhohen në drejtim të minimizimit të tmerrit të madh që ka ndodhur këtu, e në veçanti me një entuziazëm të pashoq, përms publikimit të disa të pavërtetave në media, kontribuojnë në njollosjen e Luftës Çlirimtara të UÇK-së. Nuk njoh popull askund në botë që do të lejonte që nga radhët e veta të dalin njerëz të tillë që lirshëm të shprehin tentativat e tyre të errta të degradimit të luftës së bijve dhe bijave të veta më të mira, që në çfarëdo mënyre janë flijuar për tokën e tyre të shenjtë.

  Nëse vazhdojmë kështu, do të na gjejë mallkimi i madh. Po, po, mallkimi i madh si  përsëritje e asaj që nuk kemi dashur ta mësojmë nga historia, por këtë herë me pasoja edhe më katastrofale, ku viktimat e shumta do të jenë si gjithnjë të pafajshmit. Natyrisht, të pafajshmit, e kurrsesi këta hipokritë vendorë të cilët sërish do ta gjejnë patronin tjetër për nënshtrim dhe përkulje.

Si duket marrëzia tek ne mat keq, por edhe më keq pret, kurse parimi etik i dinjitetit dhe moralit të mirëfilltë kombëtar përzihet me interesat ditore të ndasive partiake, kapriceve individuale, lakmisë, kokëfortësisë, jotelerancës, urrejtjes, etj.”

Sa më shumë që i bluaja në kokë këto tema nga realiteti ynë i përditshëm, gjithnjë bindesha se kisha të drejtë! Ashtu i shtrirë në shtrat, me duart e kryqëzuara prapa qafe, lejova vazhdimësinë e rrjedhës së lirë të tyre:

  “Nga të gjitha vetitë dhe vërtytet e njeriut, mençuria duhet të jetë më së miri e shpërndarë në botë, sepse askush nuk ankohet se i mungon. Sado që jemi të kënaqur me mendjen dhe inteligjencën që e kemi, realiteti i përditshëm është dëshmi e kundërt për pamundësinë, kufizimet intelektuale dhe marrëzinë tonë, e mos të flasim për urtësinë e cila, për momentin, ndoshta nuk ekziston fare.

Para shumë shekujsh, mendimtari i madh grek Sokrati thoshte: “Unë di aq sa s’di asgjë”. Një budalla yni i përditshëm, përkundrazi, beson se di çdo gjë dhe për këtë është në gjendje që me orë të tëra t’ju bindë për njohuritë e veta që ka nga të gjithë lëmenjtë: shkencë, politikë, sport, ekonomi, art, culture, etj. Vaj halli atij, që rastësisht provon t’i kundërvihet këtij “të mençuri”!

Duket se kjo dukuri ka filluar të përhapet si një tendencë e moralit të sëmurë induktiv shoqëror. Mos vallë mençuria jonë nuk ka ardhur në shprehje gjer më tani, apo, ndoshta, nuk e kemi pasur fare? Dashtë Zoti që të jetë kjo e para, por, siç po na shkojnë punët, frikohem se përgjigjja më e vërtetë do të jetë vetë pjesa e dytë e dyshimit.

Eh, sikur të mbesim në gjykimet e mendjes së tashme, nuk duhet edhe aq të shpresojmë për të ardhmen tone. Por, nëse mbi të gjitha, do të mbisundojë instikti shekullor i moralit tonë të shëndoshë kolektiv si popull, i ndërtuar mbi parimet e mirëfillta të trimërisë, besnikrisë, drejtësisë dhe dinjitetit, atëherë lirisht mund të mëtojmë se ka shpresë. Por, ta zëmë, sikur vërtetë të kishim shumë mend? Sigurisht nuk do të mjaftonte vetem me kaq.

Përveç mendjes dhe mençurisë, do të na nevoitej edhe URTËSIA. E urtësia, krahasuar me mençurinë, dallojnë shumë mes vete. Mençuri do të thotë njohja dhe mbajtja mend e të dhënave dhe shënimeve nga informacionet e përditshme, nga mësimet që na i mbushin kokat shkollat dhe fakultetet, duke na graduar si intelektual... Fatmirësisht, këso njerëz të mençur, që unë do t’i quaja “enciklopedistë” ose “universalistë”, kemi mjaft dhe në çdo vend.

E urtësia? Ç’është urtësia? – hyra edhe më thellë në meditime.

Urtësia duhet të jetë shumë më e lartë se vetë mençuria dhe inteligjenca. Me të vendoset shpejt dhe drejt. Ajo nuk ka gabime, nuk frikohet nga askush, e më së paku nga vetja. Është aftësi hyjnore e vetëndërtuar gjatë dhe me durim, përmes vrojtimit të qartë në rrjedhën e gjërave. Ajo, gjithnjë, shkaktarët i gjen në pasoja. Dallon ç’është patjetër për momentin - diferencon realitetin nga iluzionet”. Është plotësisht e panënshtrueshme para emocioneve dhe instikteve momentale. Nuk është egocentrike dhe në gjykime vepron shpejt dhe qartë.  Në të nuk ka kokëfortësi, por vendosmëri.  Nuk është imponuese dhe zëdhënëse, por është e patjetërsueshme, sepse në vete përbën forcën e madhe të realitetit. Urtësia na nevojitet sot më së shumti, por ku ta gjejmë atë? A ekziston? Patjetër se ekziston, por jo në vendet ku vendoset. Ajo kurrë nuk vardiset, nuk inponohet dhe nuk lajkaton, nuk i duron manipulimet dhe sjelljet pjatalipirëse, prandaj edhe me arsye të plotë nuk është në pushtet, ku ne zakonisht jemi mësuar ta kërkojmë.

Aspak nuk është çudi pse s’është në pushtet, por duhet të jetë çudi pse pushteti nuk i këshillon ata që e kanë këtë urtësi, bile, siç bëhet zakonisht, së paku për t’u lavdëruar se urtësia e dikujt është e tyre.

Përsëri dyshime të liga me dëshirë të sinqertë që të gaboj. Sikur të kishim organizuar një sondazh publik në mes të budallait tonë mesatar, i cili na bind përherë se di çdo gjë, nga njëra anë, dhe atij të urtit të mirëfiltë, i cili deklaron se di aq sa s’di asgjë, nga ana tjetër, sigurisht që do të fitojë ky i pari. Patjetër se do të fitojë opcioni i parë, sepse ai është më i afërt, më i kuptueshëm, më praktikë dhe më i dashur. Thjesht është më i kapshëm për ne.  Ai, fatkeqësisht, është pjesë e përditshmërisë sonë…

Në moment, dëshirova që nga vetja t’i largoj këto mendime. Vendosa t’i shmangem, duke e orientuar kahjen e tyre bredhëse drejt më të gëzuarës dhe më të hareshmes…

                                              

            Fund i kapitullit të parë

 

 

 

Me respekt të përjetshëm për ty miku im i çmuar NANDA!

 

 

           

 

           Adnan Abrashi u lind më 21.12.1957 në Prizren. Shkollën fillore dhe atë të mesmen e kreu në vendlindje, ndërsa diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1982.

            Pas diplomimit ka punuar, fillimisht, referent juridik e pastaj sekretar i Ndërmarrjes grafike-botuese "Ramiz Sadiku" në Prizren, nga e cila, në vitin 1992, largohet si person i papërshtatshëm politikisht.

            Një kohë ka punuar si sekretar edhe në Bodrumin e verës në Rahovec dhe vite të tëra ka qenë producent në TV "OPINION" (ish TV "HASI") me seli në Prizren, ku është takuar dhe ka intervistuar personalitete të larta të vendit dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ka udhëhequr edhe një galeri ari private dhe është angazhuar edhe në Ndërmarrjen grafike-botuese "BLENDI", në Prizren.

            Që në vitet e hershme të rinisë, e veçanërisht pas një aksidenti të rëndë që përjetoi në trafik, ai iu rrek me pasion dukurive parapsikologjike duke u marr intensivisht me burimet e fenomeneve  paranormale, reflektimin dhe ndikimin e tyre në botën reale... duke i analizuar thellësisht ato dhe bërë publike përmes shkrimeve të shumta nëpër gazeta, revista dhe portale të ndryshme interneti. Me plot të drejtë, Adnani, mund të quhet pionier në spektrin e gjerë të lëmit të paranormales në trojet shqiptare!

            Ishte njëri prej themeluesve të revistës “Astra”, që botohej në Prizren (shpërndahej edhe në perëndim) - një ndër revistë e parë shqiptare (dhe simotër e Revistës "Mjellma" që botohej, po ashtu, në Prizren), që trajtonte tema të shumëllojshme nga lëmi i psikologjisë, parapsikologjisë, mjekësisë, astrologjisë, metafizikës, filozofisë, etikës etj., dhe redaktor i saj për vite radhazi.          

            Po ashtu, një kohë të gjatë, me mjaft sukses ka bashkëpunuar edhe me revistat: “Kosovarja” që botohej çdo dy javë në Prishtinë, si editues i shtojcës disafaqëshe "syri3",  me  revistën “Horoskopi”, si dhe me revistën "Mistika" - organ i "Qendrës parapsikologjike", që botoheshin në Prizren.

            Pas luftës në Kosovë, gjegjësisht në vitin 2001, bashkë me një grup shokësh formojnë dhe regjistrojnë, para organeve të UNMIK-ut në Prishtinë, Shoqatën e përpjekjeve për krijimin e njeriut të ri "VEGIMI  MISTIK", ku edhe zgjedhet Kryetar i Bordit të drejtorëve.

            Ka qenë moderator i faqes personale shumë të njohur dhe të suksesshme elektronike në internet: www.syri3.com, e cila, po ashtu, trajtonte tema të kësaj natyre, e që brenda disa vitesh u klikua nga më shumë se 5 milion vizitorë! Dua të ceki këtu se kjo webfaqe, kjo dritare dijesh, ishte e para që krijoi sektorin e librit elektronik, në vitrinat e së cilës arriti të rendisë me qindra tituj, nga më të ndryshmet, për t'iu ofruar lexuesve për shkarkim falas.

            Gjithashtu, ka marrë pjesë në mjaftë kurse, ligjërata, seminare dhe rituale, siç është ai i "vallëzimit mbi zjarr (prush)", të cilin pastaj e organizuan edhe në kuadër të veprimtarive të Shoqatës "Vegimi mistik" për disa vite rresht në Prizren.

            Përveç shkrimeve të shumta nga fusha e paranormales, ai ishte edhe njeri ndër publicistët më aktiv dhe më kritik kundër dukurive të përgjithshme negative në shoqërinë tonë e veçanërisht ndaj klasës së korruptuar politike Kosovare!  

            Ka botuar këto vepra: “Parathëniet e Nostradamusit”, "Fati përmes filxhanit të kafesë", dhe romanin: “Ne vorbullat e jetës - 1 dhe 2“.

            Adnan Abrashi ndërroi jetë në orët e vona të 3 nëntorit 2013, në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, si pasojë e një sulmi në zemër.

 

 

 

  (1)    (2)