LIGJËRATA E TRETË
Ideja se njeriu është një makinë nuk është e re. Ai është vërtet i vetmi
këndvështrim i mundshëm shkencor, gjegjësisht këndvështrim i bazuar mbi
eksperimentin dhe vrojtimin. Definicion mjaft të mirë mbi mënyrën mekanike
të veprimin të njeriut ka dhënë e ashtuquaj-tura “psikofiziologjia”
në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në të konsiderohet se njeriu
nuk është i aftë të bëjë kurrfarë veprimi po qe se nuk pranon mbresa të
jashtme. Shkencëtarët e kësaj kohe kanë pohuar se njeriu, po qe se do të
ishte e mundur, që nga fëmijëria, të privohej nga të gjitha mbresat e
jashtme e të brendshme, e që gjatë kësaj megjithatë të mbetej gjallë, nuk
do të ishte në gjendje të bënte kurrfarë lëvizjeje.
Një eksperiment i tillë natyrisht se është e pamundur të realizohet, madje
as me shtazët, pasi që procesi i mbajtjes së jetës, i frymëmarrjes, i
ushqimit e kështu me radhë do të prodhonin mbresa të shumta të cilat në
radhë të parë do të shkaktonin lëvizje të shumta refleksive, e pastaj do ta
zgjonin edhe qendrën motorike.
Kjo ide, sakaq, është interesante sepse qartë tregon se aktiviteti i makinës
varet nga mbresat e jashtme dhe se (ky aktivitet) fillon si përgjigje ndaj
këtyre mbresave.
Secila nga qendrat në makinë është përsosmërisht e sinkronizuar për të
pranuar llojin e vet të mbresave dhe ndaj atyre mbresave të përgjigjen në
mënyrën gjegjëse. E kur qendrat punojnë si duhet, është e mundur që puna e
makinës të përllogaritet dhe që shumë ngjarje dhe reaksione të ardhshme të
makinës të studiohen, e madje të parashihen e të parathuhen, e sigurisht
edhe të udhëhiqen.
Por, fatkeqësisht, qendrat tepër rrallë punojnë ashtu siç do të duhej, madje
edhe kur fjala është për atë që quhet njeri i shëndoshë dhe normal.
Shkaku i kësaj dukurie qëndron në faktin se qendrat janë të bëra në atë
mënyrë që të mund ta zëvendësojnë njëra-tjetrën. Në planin fillestar të
natyrës kjo pa dyshim ka pasur si qëllim që puna e qendrave të bëhet e
përhershme dhe që të krijohet mbrojtje nga ndërprerjet e mundshme në punën e
makinës, duke qenë se ndërprerja në disa raste mund të jetë fatale.
Porse aftësia e qendrave që të punojnë njëra palë për tjerat në makinën e
paushtruar e të pazhvilluar – siç janë të gjitha makinat – bëhet e tepërt,
kurse rezultati është ai se makina vetëm rrallë punon ashtu që çdo qendër
të kryejë punën e vet. Gati se në çdo moment kjo apo ajo qendër lë punën
e vet dhe provon ta kryejë punën e qendrës tjetër, e cila nga ana tjetër
gjithashtu provon të punojë në vend të qendrës së tretë.
Pra, qendrat mund ta zëvendësojnë njëra-tjetrën në masë të caktuar, porse jo
plotësisht, prandaj për këtë arsye ato në këso rastesh punojnë më me pak
efikasitet. Qendra motorike, ta zëmë, mundet që në masë të caktuar ta
imitojë punën e qendrës intelektuale, por ajo është në gjendje të prodhojë
vetëm mendime tepër të paqarta dhe të palidhura, siç janë, për shembull, ato
në gjumë apo ato kur ëndërrojmë.
Qendra intelektuale mundet, si kundërvlerë, të kryejë punën e qendrës
motorike. Provoni, ta zëmë, të shkruani në atë mënyrë që do të mendoni për
secilën shkronjë që dëshironi ta shkruani dhe mbi atë sesi keni për ta
shkruar. Mund të eksperimentoni në këtë mënyrë dhe të provoni ta shfrytëzoni
trurin tuaj për të bërë diçka që duart dhe këmbët tuaja të mund ta bëjnë atë
pa ndihmën e tij. Mund të shkoni, ta zëmë teposhtë shkallëve dhe gjatë kësaj
të shënoni çdo lëvizje, apo mund ta bëni ndonjë punë të zakonshme të cilën e
bëni me duar dhe gjatë kësaj, me mend të planifikoni dhe përllogaritni çdo
lëvizje të vogël. Menjëherë do ta vëreni sesa më e rëndë do të bëhet puna
dhe sesa qendra intelektuale është më e ngadaltë dhe më e ngathtë se qendra
motorike. Këtë mund ta vini re edhe kur bëni ndonjë lëvizje të re – ta zëmë
kur mësoni të shkruani me makinë shtypi apo të kryeni more çfarëdo pune
fizike – apo po qe se e vështroni ushtarin që e bën ndonjë ushtrim me
pushkën. Ndonjë kohë të gjitha lëvizjet tuaja (gjegjësisht të tijat) do të
varen prej qendrës intelektuale dhe vetëm pas një periudhe të caktuar do të
fillojnë të kalojnë në motoriken.
Të gjithëve u është i njohur lehtësimi kur lëvizjet bëhen automatike, kur
përshtatshmëria bëhet automatike, dhe kur më nuk ka nevojë që gjatë gjithë
kohës të mendoni për secilën lëvizje e që çdo lëvizje të
përllogaritet. Kjo do të thotë se lëvizja ka kaluar në qendrën motorike, ku
normalisht e ka edhe vendin.
Qendra instiktive mund të punojë në vend të asaj emocionale, kurse qendra
emocionale përkohësisht mund të kryejë punën e të gjitha qendrave tjera. Në
disa raste qendra intelektuale duhet të punojë edhe për instiktiven,
megjithëqë mund të kryejë vetëm një pjesë të vogël të punës së saj, atë që
është e lidhur me lëvizjet e dukshme, siç janë për shembull lëvizjet e
kafazit të kraharorit, në rastin e frymëmarrjes. Është shumë e rrezikshme të
përzihemi në funksionet normale të qendrës instiktive, siç është, për
shembull, rasti tek frymëmarrja e detyrueshme e cila ngandonjëherë quhet
frymëmarrja e jogës dhe e cila asnjëherë nuk guxon të zbatohet pa
këshillimin dhe kontrollin e mësuesit kompetent dhe me përvojë.

Sa i përket punës së gabuar të qendrave, më duhet të them se kjo mbush
praktikisht gjithë jetën tonë. Mbresat tona të befta, mbresat tona të
paqarta, mungesa jonë e mbresave, të kuptuarit tonë të avashtë të shumë
gjërave, identifikimi ynë shumë i shpeshtë dhe të dhënit rëndësi, madje edhe
gënjimi ynë, krejt kjo paraqet pasojën e punës së gabuar të qendrave.
Ideja mbi punën e gabueshme të qendrave nuk paraqet pjesë përbërëse të të
menduarit të rëndomtë dhe të njohjes së zakonshme, dhe ne nuk e kuptojmë se
ç’dëm na sjell ajo, se ç’energji pa nevojë harxhojmë në atë mënyrë dhe se në
ç’vështirësi na hedh kjo punë e gabuar e qendrave.
Të kuptuarit jomjaftueshëm të punës së gabuar të makinës sonë rëndom është
në lidhje me të vërejturit gabim të unitetit tonë. Kur ta kuptojmë se në
ç’masë jemi të përçarë në vetvete, do të zëmë ta kuptojmë edhe rrezikun i
cili mund të fshihet në faktin se një pjesë jona punon kundër tjetrës, e që
ne këtë as që e dimë.
Në rrugën e vetëvrojtimit dhe të vetëstudimit është e domosdoshme të
vëzhgohet jo vetëm puna e rregullt, por edhe puna e gabuar e qendrave. E
domosdoshme është të njihen të gjitha llojet e punës së gabuar, e
veçanërisht puna e gabuar që karakterizon individët konkretë. Është e
pamundshme të njohim vetveten nëse nuk njohim mungesat dhe gabimet tona. E
gjithsecili prej nesh, përveç mungesave të përgjithshme që të gjithë i
posedojnë, i ka edhe ato të veçantat të cilat i përkasin vetëm atij e të
cilat po ashtu duhet të studiohen në kohën e duhur.
Në fillim jua kam tërhequr vëmendjen për atë se ideja që njeriu është makinë
të cilën e lëvizin mbresat e jashtme është ide e vërtetë shkencore.
Ajo që shkenca nuk di është kjo si në vijim:
Si e para,
se makina njerëzore nuk punon në harmoni me mundësitë e veta dhe se realisht
punon dukshëm nën mundësitë e veta normale, do të thotë se nuk punon me tërë
fuqinë dhe se nuk punojnë të gjitha pjesët e saj.
E dyta,
se ajo përkundër shumë gabimeve është e aftë të zhvillohet dhe që vetvetes
t’i krijojë mundësi krejtësisht të reja për pranimin e mbresave dhe
veprimeve.
Tani do të flasim mbi kushtet që janë të domosdoshme për zhvillim, duke qenë
se në mendje duhet të kihet se zhvillimi, megjithëse i mundur, njëkohësisht
është edhe shumë i rrallë dhe kërkon numër të madh kushtesh të jashtme dhe
të brendshme.
Cilat janë ato kushte?
I pari është ai që njeriu ta kuptojë pozitën e vet, vështirësitë e pozitës
së vet dhe mundësitë që ka; ai duhet ose të ketë dëshirë tejet të fuqishme
që nga gjendja e vet e tanishme të dalë, ose të jetë shumë i interesuar
për gjendje të re, të panjohur, e cila duhet të pasojë së bashku me
ndryshimin. Thënë shkurt, duhet tepër fuqimisht ta refuzojë gjendjen e
tij të tanishme ose duhet tepër fuqimisht ta tërheqë gjendjen që do të mund
të pasojë.
Vazhdon...
(2)
(3)
|