Sakras Art Gallery

Sekuenca filmike

Vegëza

RTK

TOP CHANNEL

RTV 21

ALSAT

TV KLAN

KLAN KOSOVA

BOTA.AL

ALBANIAPRESS

ALBINFO

EXPRESS

KOHA DITORE

ZËRI INFO

KOSOVA SOT

INSAJDERI

BOTA SOT

GAZETA METRO

GAZETA SINJALI

ALBANIAN POST

KALLXO COM

LAPSI.AL

ZEMRASHQIPTARE

KOSOVA PRESS

TELEGRAFI

EUROPA E LIRË

ZËRI I AMERIKËS

PSIKOLOGJIA

TRIBUNA SHQIPTARE

SHËNDETI

DITURIA

PRESHEVA.COM

GJUHA SHQIPE

KOSOVARJA

RADIOPROJEKT

Meditimi 2 - BISEDAT ME ZOTIN (1)

Shkruan: Neale Donald WALSCH

Shqipëruar nga: Hasan HAMËZBALA

BISEDAT ME ZOTIN (1)

* një dialog i pazakonshëm *

 

     Jeni në rrugë për të përjetuar një përvojë të pazakonshme. Do ta përjetoni bisedën me Zotin. Po, po. E di... kjo nuk është e mundur. Sigurisht mendoni (apo ashtu ju kanë mësuar) se kjo nuk është e mundur. Dikush mund t’i flasë Zotit, por jo me Zotin. Gjegjësisht se Zoti nuk do të përgjigjet, apo jo? Së paku jo në trajtën e bisedës së zakonshme, të përditshme.

 

 

 

            Falënderimet

 

            Së pari, në fillim, në fund dhe përherë dua t’i falënderohem Burimit të çdo gjëje që ndodhet në këtë libër, të çdo gjëje që është jetë dhe që është burimi i vetë jetës.

            Së dyti, dua t’u falënderohem mësuesve të mi shpirtërorë, ku përfshihen shenjtorët dhe të urtët e të gjitha religjioneve.

            Së treti, e kam të qartë se secili prej nesh mund të bëjë listë me njerëz të cilët kanë ndikuar në jetët tona në mënyrë aq të rëndësishme e të thellë saqë i ikin çdo kategorizimi apo përshkrimi; njerëz që me ne kanë ndarë urtinë e tyre, të cilët na e kanë thënë të vërtetën e tyre, i kanë vuajtur për ne gabimet tona dhe dobësitë tona në durimin e tyre të pakufishëm – dhe të cilët nëpërmjet të gjitha këtyre na kanë shikuar me kujdes, duke parë në ne atë më të mirën që ka mundur të shihet. Njerëz të cilët, në të pranuarit tonë nga ana e tyre si dhe në refuzimin e tyre për të pranuar ato pjesë tonat për të cilat kanë ditur se ne ato në të vërtetë nuk i kemi përzgjedhur, kanë bërë që të rritemi; që disi të bëhemi më të mëdhenj.

            Së katërti, dhe së fundmi, do të dëshiroja t’u jepja mirënjohje disa njerëzve të cilët kurrë nuk i kam takuar, por jeta dhe puna e të cilëve ka ndikuar në mua aq fuqishëm saqë nuk mund të lejoj të kalojë ky çast, e që të mos iu falënderohem nga thellësitë e qenies sime për çastet e ëndjeve të veçanta që më kanë ofruar me ekspozimet e tyre të madhërishme mbi atë se ç’është e vërteta reale mbi ndjesinë e jetës.

            Për mua njerëz të tillë kanë qenë kryesisht artistët kreativë ...

 

 

            Hyrje

 

            Jeni në rrugë për të përjetuar një përvojë të pazakonshme. Do ta përjetoni bisedën me Zotin. Po, po. E di... kjo nuk është e mundur. Sigurisht mendoni (apo ashtu ju kanë mësuar) se kjo nuk është e mundur. Dikush mund t’i flasë Zotit, por jo me Zotin. Gjegjësisht se Zoti nuk do të përgjigjet, apo jo? Së paku jo në trajtën e bisedës së zakonshme, të përditshme.

            Kështu edhe unë kam menduar. E atëherë më ka ndodhur ky libër. Në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Këtë libër nuk e kam shkruar unë, ai më ka ndodhur mua. E derisa do ta lexoni, ai do t’ju ndodhë edhe juve, sepse ne do të udhëhiqemi kah e vërteta për të cilën jemi të gatshëm.

            Jeta ime sigurisht do të ishte shumë më e lehtë sikur krejt këtë ta mbaja në heshtje. Por, kjo nuk ka qenë arsye pse gjithë kjo më ka ndodhur. Dhe pa marrë parasysh vështirësitë që libri mund të m’i sjellë (ma përshkruajnë sakrilegjin, mashtrimin, hipokrizinë, sepse këto të vërteta nuk i kam përjetuar në të kaluarën apo – që është ndoshta edhe më keq – më quajnë “të shenjtë”) nuk është e mundur tani ta ndalë këtë proces. E këtë edhe nuk e dëshiroj. Kam pasur rast të heq dorë nga të gjitha, por nuk kam hequr. Kam vendosur të qëndroj pranë atyre që m’i thonë instinktet e mia natyrore në vend se t’i dëgjoj ato që do të m’i thoshin shumë njerëz për këtë material.

            Ato instinkte më thonë se ky libër nuk është një marrëzi që vetëm shteron punën e imagjinatës së dëshpëruar apo thjesht vetarsyeton njeriun për devijimet jetësore... Për këtë arsye materialin ua kam dhënë një grupi njerëzish për ta lexuar gjersa ende ka qenë në dorëshkrim. Kanë qenë të prekur. Edhe kanë qarë. Edhe kanë qeshur shkaku i gëzimit dhe humorit në të. Dhe jetët e tyre, ashtu më kanë thënë, u kanë ndryshuar. Ata kanë qenë të përshkuar. Kanë qenë të fuqizuar.

            Shumë kanë thënë se kanë ndryshuar.

            Atëherë e kam kuptuar se ky libër ishte për secilin dhe se do të duhej botuar, se ai ishte një dhuratë e mrekullueshme për të gjithë ata që sinqerisht duan përgjigje dhe të cilët vërtet ndjejnë nevojë për pyetjet; ai është për të gjithë ata të cilët në gjurmimin e tyre pas së vërtetës udhëhiqen nga sinqeriteti i zemrës së tyre, nga gjakimi i shpirtit dhe nga mendja e hapur. E të tillët në të shumtën jemi të gjithë ne.

 

Neale Donald Walsch

Central Point, Oregon

Krishtlindjet e viti 1994

 

 

 

 

            Në pranverën e vitit 1992 – sa më kujtohet diku afër Pashkëve – në jetën time ndodhi një dukuri e jashtëzakonshme. Zoti filloi të flasë me mua. Përmes meje.

            Më lejoni të sqaroj.

            Në atë kohë kam qenë shumë i palumtur, në kuptimin personal, afarist dhe në atë emocional dhe tërë jeta ime më është dukur disfatë në të gjitha nivelet. E pasi që me vite e kam pasur zakon t’i shkruaj mendimet e mia në formë letrash (të cilat nuk ia kam dërguar kurrë askujt) e kam marrë tubën besnike të letrave të verdha për shkrim dhe kam filluar që në to t’i derdhë ndjenjat e mia.

            Këtë herë, në vend se t’i shkruaja letër të re ndonjë personi të cilin e kam përfytyruar se po më mundon, ma ka thënë mendja se do të shkoja drejt e tek shkaku, drejt e tek më i madhi nga të gjithë mundimtarët. Kam vendosur t’i shkruaja letër Zotit.

          Ka qenë ajo letër smirëzezë, e nxituar, përplot konfuzion, shtrembërime e gjykime. Dhe një mori pyetjesh idhnake.

            Përse jeta ime nuk ka sukses? Çfarë duhet ndërmarrë që të ketë? Përse nuk po mund ta gjej lumturinë në lidhjet e mia? A thua vallë kurrë nuk do ta njoh ndjesinë sesi është të kesh mjaft para? Në fund – dhe më e rëndësishmja – çfarë kam bërë unë që e kam merituar ta çoj jetën në luftë të përhershme, të pandërprerë?

            Për befasinë time, derisa e kam shkruar të fundmen në vargun e pyetjeve idhnake pa gjasa për përgjigje dhe jam përgatitur ta lija lapsin, dora më ka mbetur mbi letër sikur aty ta mbante ndonjë forcë e panjohur. Befas lapsi ka zënë të lëvizë vetë. Nuk kam pasur ide se çfarë do të shkruaj, por më është bërë se po buron një ide, ndaj kam vendosur ta pasoj. Doli...

 

            Vallë, vërtet dëshiron përgjigje në të gjitha këto pyetje apo vetëm të duhet shfryrje?

 

            Kam plapuritur sytë... e pastaj në mendjen time është krijuar përgjigjja. Dhe atë e kam shkruar.

 

            Të dyja. Sigurisht se shfryhem, por po qe se në ato pyetje ekzistojnë përgjigjet, djallëzisht i sigurt do t’i dëgjoja.

 

            “Djallëzisht i sigurt” do të dëshiroje shumëçka. Por, a nuk do të ishte, vallë,  bukur që të ishe “parajsisht i sigurt”?

 

            E unë kam shkruar:

 

            Ç’do të thotë kjo?

 

            Para se ta kem kuptuar, e kam filluar bisedën... vetëm se unë nuk kam shkruar gjithaq, më tepër kam përshkruar atë që më është diktuar.

            Ai diktim ka zgjatur tri vjet, dhe atëherë nuk kam ditur kah t’ia mbaj. Përgjigjet në pyetje nuk kanë mbërritur gjersa nuk e kam përfunduar shkrimin e pyetjes dhe nuk i kam shtyrë mendimet e mia personale për anësh. Shpesh përgjigjet kanë mbërritur më shpejt sesa kam mundur t’i shkruaj dhe do të gjendesha në situatën që të shkarravisja shpejt për të mbërritur t’i shkruaja të gjitha. Kur hutohesha dhe krijoja përshtypjen se fjalët po më vinin nga një vend tjetër, e lija lapsin dhe largohesha nga biseda gjersa përsëri nuk e ndjeja impulsin – më falni, kjo është e vetmja fjalë gjegjëse në këtë rast – që t’i kthehesha tubës me letra të verdha dhe përsëri të filloja të shkruaja.

            Gjersa po e shkruaj këtë, bisedat ende vazhdojnë dhe një pjesë e madhe ndodhet në faqet që pasojnë... faqe që përmbajnë bisedimin mahnitës në të cilin unë në fillim nuk kam besuar, mandej kam supozuar se ka vlerë thjesht personale, por tash e kuptoj se ai i është dedikuar rrethit më të gjerë të njerëzve, e jo vetëm mua. Ai ju dedikohet juve dhe të gjithë atyre të cilët kanë ardhur gjer tek ky material. Se pyetjen e mia janë pyetjet tuaja.

            Dëshiroj që sa më parë të kyçeni në këtë bisedim, sepse ajo që këtu është vërtet e rëndësishme nuk është tregim imi, por juaji. Tregimi juaj jetësore ju ka sjellë këtu. Përvoja juaj jetësore është ajo me të cilën ka të bëjë ky material. Përndryshe, ju nuk do të ishit tash këtu me të.

            Të kyçemi atëherë në bisedë me pyetjen të cilën e parashtroj tepër gjatë: Si flet Zoti dhe kujt? Kur e kam shtruar këtë pyetje, ja se çfarë më ka mbërritur si përgjigje:

            Unë u flas të gjithëve. Gjithë kohën. Nuk është çështja se kujt unë i flas, por kush më dëgjon?

 

            E luta Zotin që më gjerësisht të ma sqarojë këtë temë. Ja, çfarë Zoti më tha:

 

            Para së gjithash, ta zëvendësojmë fjalën të flasim me shprehjen të komunikojmë. Kjo është fjalë shumë më e bukur, më e plotë, më e saktë. Kur provojmë t’i flasim njëri-tjetrit – unë ty, ti Mua – menjëherë jemi të penguar me kufizimin e pabesueshëm të fjalëve. Në të vërtetë këtë e bëj tepër rrallë. Mënyra më e shpeshtë e komunikimit tim është me anë të ndjenjës.

            Ndjenja është gjuhë e shpirtit.

            Nëse dëshiron të dish se cila është e vërteta jote mbi diçka, shih se çfarë ndjen për të.

Ndjesitë ndonjëherë vështirë zbulohen – e shpeshherë edhe më vështirë pranohen. Por, të vërtetat tuaja më të mëdha të fshehura janë në ndjesitë tuaja më të thella.

Sekreti është si të arrihet gjer tek ato ndjesi. Unë do t’ju tregoj si. Përsëri. Nëse këtë ti e dëshiron.

 

            I kam thënë Zotit se dua, por se tash më me gëzim do të doja që më gjerësisht dhe më plotësisht të më përgjigjej në pyetjen time të parë. Ja se çfarë Zoti më tha:

 

            Unë komunikoj edhe me anë të mendimeve. Mendimi dhe ndjenja nuk janë një, megjithëqë mund të shfaqen njëkohësisht. Në komunikim me anë të mendimeve shpesh shërbehem me përfytyrime dhe fotografi. Për këtë arsye mendimet janë mjet më efikas komunikimi se fjalët.

Pos ndjenjave e mendimeve, shërbehem edhe me përvojën si mjet i fuqishëm komunikimi.

            Më në fund, kur dështojnë edhe ndjenjat, edhe mendimet, edhe përvoja, unë shërbehem me fjalët. Fjalët janë vërtet mjet i dobët komunikimit. Ato janë shumë të përshtatshme të keqinterpretohen, më së shpeshti gabimisht kuptohen.

            E pse kjo është kështu? Kjo është kështu shkaku se fjalët realisht janë të tilla. Ato thjesht janë shqiptim, tinguj të cilët paraqesin ndjenja, mendime dhe përvojë. Ato janë simbole. Shenja. Tregues. Ato nuk janë e vërteta. Ato nuk janë gjëra reale.

            Fjalët mund t’ju ndihmojnë që diçka të kuptoni. Përvoja jua mundëson që të dini. Megjithatë, ka gjëra të cilat nuk mund t’i provoni. Prandaj ju kam dhënë mjete tjera për njohje. Ato quhen ndjesi. Edhe mendimet, gjithashtu.

            Ironia supreme qëndron në atë se ju i keni dhënë rëndësi shumë të madhe Fjalës së Zotit, e shumë pak përvojës.

            Në të vërtetë, përvojës i jepni aq pak rëndësi saqë, porsa përvoja juaj e Zotit dallon nga ajo çfarë ju keni dëgjuar për Zotin, automatikisht e hidhni përvojën dhe u jepeni fjalëve, në vend se të ishte e kundërta.

            Përvoja juaj dhe ndjenjat tuaja për një çështje paraqesin atë që ju faktikisht dhe instinktivisht dini mbi atë gjë. Fjalët vetëm mund të gjakojnë ta simbolizojnë atë që dini, e shpeshherë mund të ngatërrojnë atë.

            Këto, pra, janë mjetet përmes të cilave lajmërohem, por këto nuk janë mënyrat, sepse të gjitha ndjenjat, të gjitha mendimet, të gjitha përvojat dhe të gjitha fjalët nuk vijnë prej Meje.

            Shumë fjalë i kanë thënë të tjerët në Emrin tim. Shumë mendime dhe shumë ndjenja janë shkaktuar nga shkaktarë që unë burimisht nuk i kam krijuar. Shumë përvoja dalin prej kësaj.

            Sfida është tek shkëputja. Vështirësia qëndron në njohjen e dallimit midis porosisë e cila vjen nga Zoti dhe të dhënave nga burime tjera. Dallimi është i thjeshtë po qe se zbatohet rregulli themelor:

            Është imi përherë Mendimi yt më i lartë, Fjala jote më e Qartë, Ndjesia jote më e Fisnike. Çdo gjë që është më e ulët se këto vjen nga burime tjera.

            Tash detyra e dallimit bëhet e lehtë, madje as nxënësi fillestar nuk do të duhej ta kishte të vështirë ta njohë më të Lartën, më të Qartën, më Fisniken.

            Por megjithatë kam me t’i dhënë këta tregues:

            Mendimi më i Lartë përherë është ai që përmban gëzim.  Fjala më e Qartë është ajo që e përmban të vërtetën. Ndjesia më e Fisnike është ajo të cilën ju e quani dashuri.

            Gëzim. Vërtetësi. Dashuri. 

            Këta tre mund ta zëvendësojnë njëri-tjetrin, dhe njëri përherë udhëheqë ndaj tjetrit. S’ka rëndësi se si janë të renditur.

            Kur me këta tregues keni përcaktuar se cilat porosi janë të Miat, e cilat kanë ardhur nga burime tjera, e vetmja pyetje që mbetet është: vallë, a do të dëgjohen porositë e mia?

            Shumica e porosive të mia nuk dëgjohet. Disa shkaku i asaj se duken tejet të bukura për të qenë të vërteta. Tjerat, sepse duken të vështira për t’u ndjekur. Shumë, sepse thjesht janë të keqkuptuara. Pjesa më e madhe, sepse nuk janë të pranuara.

            Lajmëtari im më i fuqishëm është përvoja, e madje edhe atë ju e shpërfillni. Atë posaçërisht e shpërfillni.

            Bota juaj nuk do të ishte në gjendjen e tanishme vetëm po ta kishit dëgjuar përvojën tuaj. Rezultat i asaj se nuk e keni dëgjuar përvojën tuaj është ky se në mënyrë të përsëritur e përjetoni, gjithnjë rishtas e rishtas. Sepse qëllimi im nuk do të jetë i shtrembëruar, e as që vullneti im do të jetë i shpërfillur. Ju do ta merrni porosinë. Herët apo vonë.

            Unë ju, ndërkaq, nuk do t’ju detyroj për këtë, unë kurrë nuk do t’ju detyroj. Sepse, unë jua kam dhënë vullnetin e lirë – mundësinë që të punoni sipas zgjedhjes suaj, unë këtë kurrë nuk kam për t’jua marrë, kurrë.

            Dhe kështu unë do të vazhdoj t’i dërgoj të njëjtat porosi rishtas e rishtas, nëpër mijëvjeçarë dhe pa marrë parasysh atë se në ç’pjesë të Gjithësisë do të gjendeni. Përherë do t’jua dërgoj porositë e mia, derisa nuk i pranoni e përvetësoni, e t’i quani tuajat personale.

Porositë e mia do të vinë në qindra trajta, në mijëra çaste, gjatë miliona vitesh. Ju nuk mund t’i lëshoni ato po qe se vërtet i dëgjoni. Ju nuk mund t’i shpërfillni, po qe se njëherë sinqerisht i keni dëgjuar. Kështu komunikimi ynë do të zërë fill në sinqeritet. Sepse, në të kaluarën vetëm ju më keni folur Mua, m’u keni lutur, më keni mbrojtur, më keni përshpirtur. Por tash unë mund të ju përgjigjem juve, madje edhe në këtë mënyrë siç tash këtu po e bëj.

 

            Vazhdon...

 

 

   (2)     (3)     (4)